Janë të shumtë personat të cilët punojnë sapo mbushin moshën madhore, e shpesh herë ata përpiqen të gjejnë një punë më pak të rëndë kur janë nën të 18-tat. Ky nuk është rasti i Nazifit…
Ai filloi punë në minierë në Bulqizë që në moshën 15-vjeçare. I lindur më 22 gusht 1964 në fshatin Pjeçë të Peshkopisë, Nazif Balliu mbeti jetim kur ai ishte vetëm 10 vjeç. Kujton se ka kaluar një fëmijëri shumë të vështirë. Një ndër faktet më të dhimbshme që ai tregon është se vëllai i tij, për të ‘zëvendësuar’ figurën mashkullore në shtëpi, u martua që 13 vjeç.
‘Gjërat kanë ndryshuar shumë që nga aksidenti. Aq kohë ka kaluar sa mua më duket si një pasazh filmi me metrazh të shkurtër, e sa hap e mbyll sytë, më kalon gjithë jeta përballë, dhe ndodnjëherë mirë që më duket një ‘pasazh’ pasi vuajtjet ishin të mëdha. Familja ime ishte shumë e varfër, e mbanim shpirtin me ujë dhe bukë derisa ne u rritëm pak dhe filluam të punonim. Për të mbajtur familjen, u detyrova të filloja punë. Shkollën e kam kryer me shumë vështirësi sepse ata që kanë punuar në minierë e dinë mjaft mirë se kjo nuk është një punë për fëmijë dhe nuk mund të tallesh me të.’-vijoi bisedën 56-vjeçari.
Me një trup mesatar dhe i shëndetshëm, i veshur në mënyrë mjaft të rregullt, Nazifin shumicën e kohës e shikon duke lëvizur me një biçikletë. Mban gjithmonë këmisha me krah të gjata për shkak se në dorën e djathtë, nga bërryli e poshtë, ka një protezë plastike, pas aksidentit që i ka ndodhur në minierë. Vetëm pas 3 vitesh punë, siç pothuajse ndodh rëndomë tek ata që punojnë në minierë, Nazifit i ndodhi aksidenti që e la me pasoja të rënda.
‘Ishte data 5 maj e vitit 1982, ora 13:05. Një ditë më parë, më datë 4 kisha punuar dy turne rresht dhe isha shumë i lodhur. Ditën kur u aksidentova isha turn i parë. Ndodhesha në zonën D së bashku me 3 shokë, po ngjisnin trupa për në organellë. I vendosnim në shpatull dhe i ngjisnim për në minierë. Gjatë kohës që ne po punonim, në sheshin e ‘64’ plasën minat. Nga tronditja u shkëput një gur rreth 540 gramë dhe më godet krahun e djathtë. Guri ra aksidentalisht, nuk ishte mungesë pakujdesie apo diçka tjetër.’ – kujton ai.
Guri 540 gramë u bë shkaku i kalvarit të ndodhive në jetën e Nazifit. Në moment ai pa se guri i kishte thyer kockën dhe i kishte lënë një plagë të hapur. Në një situatë të pazakontë dhe për t’i ardhur vetes në ndihmë, 18-vjeçari asokohe, e futi krahun në një fuçi me ujë e cila ndodhej aty pranë. Menjëherë humbi vetëdijen duke rënë në tokë dhe nga ai moment, pohon se nuk kujton më asgjë se çfarë është bërë me të.
‘Pasi humba ndjenjat, miqtë me të cilët po punoja, më thanë se kontaktin e parë e pata me Spitalin e Bulqizës. Spitali nuk kishte mundësi të më ndihmonte sepse nuk kishte mjekët e duhur për t’u marrë me problemin tim. Spitali nuk kishte as ambulancë dhe drejtori i minierës më çoi në spitalin e Burrelit ku më qepën damarët. Gjatë gjithë kohës kam qenë i pavetëdijshëm. Mjeku i Spitalit të Bulqizës, Idajet Dedja, vëllai im dhe daja im më shoqëruan në Tiranë,’ – kujton Nazifi me emocionet që e përshkojnë dukshëm edhe sot në fytyrë.
Mjekët, të gjendur përballë faktit që gjendja e 18- vjeçarit po përkeqësohej, e panë të udhës ta transferonin. Sapo mbërriti në kryeqytet, Nazifi u fut në sallën e operacionit. Gjendja e tij ishte shumë e rëndë dhe kjo bëri që tre muajt pas aksidentit t’i kalonte në spital. Pas tre muajsh, të gjendur në një situatë aspak normale, duke pasur parasysh edhe përparimin e krahut, mjekët Panajot Boga dhe Pëllumb Karagjozi i komunikuan të aksidentuarit se krahu i tij nuk kishte ‘më shpëtim’ dhe se e vetmja rrugë që ai të normalizohej, ishte prerja e tij.
‘Më operuan 3 herë për 3 muaj, s’kishin çfarë t’i bënin më. Unë e ndjeja se dhimbjet nuk po më pushonin dhe kërkoja nga mjekët vetëm shpëtim. I gjendur në këto kushte, unë ua thashë konfirmimin tim për prerjen e krahut. Ishte një dhimbje shumë e madhe shpirtërore sepse isha 18 vjeç dhe papritur u gjenda përpara faktit që unë s’do isha më asnjëherë njëlloj. Pasi ma prenë krahun ndenja dhe 15 ditë të tjera në spital. Isha shumë i pikëlluar, ishte humbje e madhe për mua, mendoja se do e kisha shumë të vështirë jetën që më priste.’-rrëfen ai duke hedhur sytë me dhimbje nga krahu i plastikës që tashmë e shoqëron prej 38 vitesh.
Edhe pse i gjetur përpara humbjes së madhe, Nazifi nuk harron ata që janë kujdesur dhe e kanë ndihmuar gjatë kohës që ishte i shtruar në spital. Me aq sa ai mban mend dhe i kanë treguar të afërmit e tij, eprorët dhe miqtë e kanë vizituar disa herë në spital. Madje një herë ata kishin mbushur një autobus të madh dhe kishin shkuar nga Bulqiza drejt Tiranës për të.
‘Nuk do ta harroj asnjëherë asnjërin prej tyre sepse i erdhën në ndihmë dhe u interesuar për një fëmijë. Pasi mora veten dhe dola nga spitali, u kujdesën që unë 6 muaj të merrja raport. Kam gjetur mbështetje të madhe nga shefi i minierës së asaj kohe Refik Allushi dhe drejtori pasardhës, Qerim Tomja. Nga gjithë fatkeqësia ime kam kuptuar, se me dorë apo pa dorë, me këmbë apo pa këmbë, kush realisht dëshiron të punojë do ta gjejë mundësinë. Refik Allushi më futi në punë si centralist në zonën D dhe punova aty për 3 vjet. Kur Refiku kaloi drejtor në NFP (Ndërmarrja e Furnizimit të Punëtorëve) më mori në punë si sportelist dhe më pas si inventarizues deri në vitin 1991.’
Me ardhjen e Demokracisë dhe privatizimin e minierës, Nazifi sot 56 vjeç, thotë se e pa të pamundur të jetonte në Bulqizë, prandaj vendosi të shpërngulej në Durrës. Së bashku me gruan dhe dy djemtë e tij, ai duhej të ambientohej shpejt me vendin dhe me të njëjtin nxitim të gjente edhe një punë për të mbajtur familjen. Mbështetja për të nuk mungoi edhe në qytetin i cili do të bëhej shtëpia e tij e dytë.
‘Edhe pse me statusin e invalidit, Partia Demokratike në Durrës më ka mbështetur jashtëzakonisht shumë. Fillimisht më gjetën punë si magazinier tek SHPMB (Shtëpia e Pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes) ku punova dy vite. Më pas u punësova 1 vit tek ALUIZNI, punë e cila pasoi me Kavaleshencën e Ushtrisë për plot 5 vite.’-tregon me krenari 56-vjeçari, i cili edhe pse me statusin e invalidit, arrinte të mbante vetë familjen e tij.
Në vitin 2013 e larguan nga puna dhe në vendin e tij punësuan dy persona të tjerë. Nga 2013 e sot, Nazifi jeton vetëm me 7.800 lekë në muaj, si invalid i kategorisë së 4. Edhe pse jeta ka qenë plot të papritura dhe me të rrëpira tepër të thepisura, ai vazhdon të gjejë forcën të buzëqeshë për çdo ditë të re. Nëse për minatorët e tjerë të plagosur në minierë, kujtimet veniten me kohën dhe përpiqen t’i harrojnë, për Nazifin nuk ndodh kështu. Ai e ka aksidentin përpara syve sa herë ushqehet, vishet, ecën apo takon dikë. Krahu i tij prej plastike e shoqëron atë prej 38 vitesh…