Ish-sekretari i Shtetit i SHBA-së, Henry Kissinger është ndarë nga jeta në moshën 100 vjeçare. Sipas një deklarate të lëshuar nga fondacioni Kissinger, ai vdiq të mërkurën në shtëpinë e tij në Konektikat.
Henry Kissinger ishte një nga figurat më me ndikim në diplomacinë amerikane dhe atë botërore, gjatë kulmit të “Luftës së Ftohtë”. Ai është cilësuar si arkitekti i diplomacisë së SHBA në vitet 1960-1970.
Kissinger ka lindur më 27 maj 1923 në Gjermani në një familje hebrenjsh. Në vitin 1938 emigroi së bashku me familjen në SHBA. Ai u rikthye në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore, si ushtar i trupave amerikane. Pasi mbaroi studimet në Harvard, Kissinger ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës në politikën amerikane, kur shërbeu si Sekretar i Shtetit me Presidentin Nikson dhe më vonë si këshilltar për sigurinë me Presidentin Ford.
Ishte Kissinger ai që ideoi hapjen diplomatike të Kinës, startoi bisedimet historike për kontrollin e armëve SHBA-Sovjetike, zgjerimin e lidhjeve midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë dhe Marrëveshjen e Paqes së Parisit me Vietnamin.
Në vitin 1973 Kissinger është laureuar me Çmimin Nobel për Paqe.
Pavarësisht tërheqjes nga jeta politike ai vijonte të kishte një ndikim të madh në diplomacinë botërore. Edhe pse në moshë të madhe Kissinger ka qenë aktiv duke këshilluar liderët botërorë dhe luajtur rolin e ndërmjetësuesit. Në korrik 2023, ai bëri një vizitë të papritur në Pekin për të takuar presidentin kinez Xi Jinping.
Në rrjetet sociale shumë liderë shprehën ngushëllimet për të.
“Amerika ka humbur një nga zërat më të besueshëm dhe më të dallueshëm” në çështjet e jashtme. Unë e kam admiruar prej kohësh njeriun që iku nga nazistët si djalë i ri nga një familje hebre dhe më pas luftoi kundër tyre në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara”, tha ish-presidenti Bush në një deklaratë.