Alphabet po shpenzon me miliarda për t’u bërë një forcë kryesore në kujdesin shëndetësor A mund të shkundë kjo më në fund industrinë e turbullt disa triliona dollarëshe?, shkruan The Economist. Vendet e pasura derdhin shuma të jashtëzakonshme parash në kujdesin shëndetësor.
Ekonomitë e përparuara zakonisht shpenzojnë rreth 10% të PBB-së për t’i mbajtur qytetarët e tyre në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që po rritet edhe mosha mesatare e popullsisë. Kompleksi labirint shëndetësor-industrial i Amerikës, konsumon 17% të PBB-së, ekuivalente me 3.6 trilionë dollarë në vit.
Pesha dhe inercia e sistemit amerikan, e mundësuar nga prodhuesit e barnave, farmacitë, kompanitë e sigurimit, spitalet dhe të tjerë që përfitojnë prej sistemit, e kanë mbrojtur prej kohësh atë nga përçarja.
Madhësia dhe qëndrueshmëria e tij, shpjegojnë gjithashtu arsyen pse po shikohet me lakmi nga teknologjia e madhe. Pak industri të tjera ofrojnë një treg mjaftueshëm të madh për të tërhequr vëmendjen e titanëve të teknologjisë.
Pesë gjigantët e teknologjisë së Amerikës kanë shpenzuar me miliarda në baste të ndryshme mbi kujdesin shëndetësor.
Disa nga investimet e tyre të mëparshme në lidhje me shëndetin, kanë filluar të japin frytet e veta. Amazon drejton një farmaci online dhe shërbimet e saj të telemjekësisë arrijnë pothuajse kudo në Amerikë, ku mund të transportohen edhe pakot e saj, pra në pjesën më të madhe të vendit.
Ora inteligjente e Apple vazhdon të grumbullojë veçori të reja shëndetësore, më së fundmi edhe një për gjurmimin e drogës.
Meta hoqi planet për orët inteligjente në fillim të këtij viti, por ofron argëtim të lidhur me fitnesin, përmes syzeve të realitetit virtual, Oculus. Microsoft vazhdon të zgjerojë listën e ofertave kompjuterike Cloud, të lidhura me shëndetin (siç është Amazon, përmes AWS-së, njësisë së saj Cloud).
Megjithatë, Alphabet, korporata mëmë e Google, ka ambiciet më të mëdha për kujdesin shëndetësor. Ndërmjet viteve 2019 dhe 2021, degët e kapitalit sipërmarrës të Alphabet, Google Ventures dhe Gradient Ventures, dhe njësia e saj e kapitalit privat, CapitalG, bënë rreth 100 marrëveshje në shkencat e jetës dhe kujdesit shëndetësor, sa një e katërta e marrëveshjeve totale të Alphabet.
Deri tani këtë vit, kompania ka injektuar 1.7 miliardë dollarë në idetë futuriste të shëndetit, sipas CB Insights, ofrues i të dhënave, duke i lënë mbrapa gjigantët e tjerë të teknologjisë, të cilët kanë investuar rreth 100 milionë dollarë. Alphabet është radhitur i pesti në Indeksin e Natyrës, i cili mat ndikimin e studimeve shkencore, në fushën e shkencave të jetës.
Alphabet renditet pas katër prodhuesve gjigantë të medikamenteve dhe është 20 vende përpara Microsoft, i vetmi gjigant tjetër teknologjik në garë. Kompania ka punësuar ish-rregullatorë shëndetësorë për ta ndihmuar atë që të navigojë në burokracinë e kujdesit shëndetësor të Amerikës.
Qasja e Alphabet ndaj inovacionit i ka shërbyer mirë kompanisë në disa biznese të tjera që shkojnë përtej motorit të kërkimit Google.
Ajo ka krijuar produkte të zgjuara, nga Gmail dhe Google Docs, te sistemi operativ celular Android dhe Google Maps, të cilat ndihmojnë jetën dixhitale të njerëzve.
Alphabet mendon se disa nga ofertat e saj shëndetësore do të bëhen po aq thelbësore për ekzistencën e tyre fizike. A është kjo një prognozë e saktë?
Alphabet ka depërtuar në kujdesin shëndetësor që nga viti 2008, kur Google prezantoi një shërbim që i lejonte përdoruesit të përpilonin të dhënat e tyre shëndetësore në një vend.
Ky projekt u përfundua në vitin 2012, u rishfaq në vitin 2018 si Google Health, i cili përfshinte nisma të tjera shëndetësore të Google dhe u hoq përsëri vitin e kaluar.
Sot, aventurat shëndetësore të Alphabet mund të ndahen në katër kategori të gjera. Këto janë: pajisjet e veshura, të dhënat shëndetësore, inteligjenca artificiale e lidhur me shëndetin dhe sfida përfundimtare e zgjatjes së jetëgjatësisë së njerëzve.
Google hyri në biznesin e pajisjeve të veshura në vitin 2019 me blerjen e Fitbit, me vlerë 2.1 miliardë dollarë. Gjurmuesi popullor i fitnesit numëron hapat dhe lëvizjet e tjera në kyçet e dorës.
Një veçori e re, një sensor që monitoron ndryshimet në ritmin e zemrës për parregullsi që mund të çojnë në atak kardiak, sapo është miratuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA). Google po përpiqet gjithashtu të rrisë potencialin e kujdesit shëndetësor të pajisjeve të tjera.
Për këtë qëllim, ai ka angazhuar Bakul Patel, ish-zyrtar i ngarkuar me krijimin e klasifikimit rregullator të “softuerit si pajisje mjekësore” në FDA.
Vula e miratimit e FDA-së për sensorin Fitbit, është e rëndësishme. Ajo duhet ta bëjë më të lehtë miratimin e Pixel Watch të Google, që është një nivel më i lartë i të njëjtit lloj teknologjie dhe pritet të dalë këtë vjeshtë, së bashku me pajisje të tjera.
Për shembull, kamera në telefonat Pixel, mund të përdoret për të dalluar frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës, duke gjurmuar ndryshimet delikate të ngjyrës së lëkurës, nga fakti se gjaku me oksigjen të freskët, është pak më i ndritshëm. Asistenti inteligjent Nest i Google, mund të vlerësojë cilësinë e gjumit tuaj, duke dëgjuar gërhitjen.
Po aq domethënëse, është se Google e konsideroi miratimin rregullator si diçka që ia vlen barra qiranë. Kjo tregon se kompania synon që produktet e saj të jenë më shumë se pajisje argëtuese për konsumatorin dhe dëshiron që ato të ndikojnë në praktikën e mjekësisë.
Google gjithashtu ka depërtuar në fushën e të dhënave shëndetësore. Nisma e re, e quajtur Care Studio, u drejtohet mjekëve dhe jo pacientëve.
Përpjekjet e mëparshme të Google në këtë fushë, u prishën pjesërisht nga ngadalësia e spitaleve në dixhitalizimin e informacionit të pacientëve.
Ky problem kryesisht është zhdukur, por është shfaqur një tjetër, thotë Karen DeSalvo, shefja e shëndetësisë e Google: paaftësia e të dhënave të ofruesve të ndryshëm për t’u ndërlidhur me njëra-tjetrën.
Dr. DeSalvo ka folur vazhdimisht mbi nevojën për ndërveprim më të madh, që nga ditët e saj në administratën e Obamës, ku ishte përgjegjëse për bashkërendimin e teknologjisë amerikane të informacionit shëndetësor.
Vendosni bastet tuaja më të mëdha
Projektet e Alphabet për Inteligjencën Artificiale, gjithashtu kanë filluar të japin rezultate. Duke filluar nga viti 2016, DeepMind, firmë britanike e blerë nga Google në vitin 2014, përdori të dhëna nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë (NHS), për të krijuar mjete diagnostikuese, duke trajnuar një algoritëm të Inteligjencës Artificiale, për të zbuluar sëmundjet e retinës.
(Bashkëthemeluesi i DeepMind bën pjesë në bordin e kompanisë mëmë të The Economist.) Ai tërhoqi vëmendje publike vitin e kaluar me AlphaFold, softuer inovator që mund të parashikojë strukturën e proteinave, e cila është përgjegjëse për shumë nga karakteristikat komplekse të molekulave.
Alphabet ka nisur gjithashtu një filial tjetër, Isomorphic Labs, i cili do të drejtohet nga shefi i DeepMind dhe do të përshpejtojë zbulimin e drogës.
Pjesa më e rëndësishme e portofolit të shëndetit të Alphabet, është një përpjekje për të ngadalësuar procesin e plakjes – ose për ta ndaluar atë krejtësisht. Ideja është që plakja nuk duhet parë si një aspekt i pandryshueshëm i jetës, por si një gjendje që mund të menaxhohet dhe të kurohet, ose si një problem që mund të zgjidhet me teknologjinë e duhur.
Për këtë qëllim, një nga filialet e shkencave të jetës të Alphabet, i quajtur Calico, po shqyrton sëmundjet që lidhen me moshën. Vitin e kaluar, partneriteti i tij prej 2.5 miliardë dollarësh me firmën AbbVie, një firmë e madhe ilaçesh, u zgjat deri në vitin 2030.
Një filial tjetër i Alphabet, është ai me L’Oréal, gjigantin francez të kozmetikës, dhe ka synimin për të kuptuar më mirë se si ndikon plakja në biologjinë e lëkurës, dhe kështu, njerëzit mund të kujdesen më mirë për lëkurën.
Të gjitha këto janë shumë frymëzuese. Por ka pengesa. Disa prej tyre janë teknike. Të dhënat nga NHS-ja ishin të vështira për t’u përpunuar nga Inteligjenca Artificiale e DeepMind. Inteligjenca Artificiale e firmës në ndihmë të mjekëve, e quajtur Streams, do të ndërpritet.
Megjithatë, duke pasur parasysh përparimet që po bëhen në mësimin e makinerive, mund të jetë vetëm çështje kohe derisa diçka e ngjashme me Streams të ringjallet.
Pengesat e tjera mund të jenë më të vështira për t’u kapërcyer. Ligjet antitrust janë gjithnjë e më të kujdesshme ndaj marrëveshjeve që mund të shihen si kërcënuese për rivalët e sapolindur.
Në Europë, autoritetet e konkurrencës e kanë ndaluar Fitbit (por jo orën Pixel), që të favorizojë telefonat dhe sistemin operativ të Google, ose që të përdorë të dhënat e përdoruesve për të shitur reklama.
Qeveritë gjithashtu shqetësohen për shkeljet e privatësisë, të cilat janë edhe më të ndjeshme kur bëhet fjalë për informacionin mjekësor.
Muajin e kaluar, u ngrit një padi në grup kundër DeepMind për keqpërdorim të të dhënave të pacientëve në Sistemin Kombëtar Shëndetësor të Britanisë. DeepMind nuk ka bërë një deklaratë publike në lidhje me këtë çështje.
Së fundmi, idetë e mira nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht një biznes të mirë. Tregu i pajisjeve të veshura është shumë konkurrues. Po ashtu, edhe ai për të dhënat elektronike të shëndetit. Reputacioni i Google për përsosmërinë teknike, nuk e ka kthyer Care Studio në një sukses të menjëhershëm.
Verily, e cila përveç ndalimit të plakjes ofron edhe diagnostikime të ndryshme, nënshkroi kontrata me vlerë 50 milionë dollarë për testimin Covid-19 gjatë pandemisë, një shumë e mirë, por e papërfillshme në krahasim me të ardhurat totale vjetore të Alphabet prej afro 260 miliardë dollarësh.
DeepMind raportoi fitime për herë të parë në vitin 2020, por ajo është gati të shesë produktin e saj kryesor shëndetësor, AlphaFold, për një shumë minimale. Calico është shumë larg gjenerimit të të ardhurave reale, e lëre më fitimeve.
Këto janë baste të pafundme të cilat, një kompani e përmasave të Alphabet, mund t’i përthithë me lehtësi relative. Në dekadën e ardhshme, sfida do të jetë të tregohet se ato mund të kalojnë nga eksperimentet dhe projektet e kota, në diçka transformuese për firmën dhe shëndetin e amerikanëve.