Njeriu për nga vetë natyra është një qenie pragmatiste, pra priret të udhëhiqet më tepër nga praktikat sesa nga idealet. Pranon si kriter të së vërtetës vetëm atë që është e dobishme e që sjell përfitim.
Thënë kjo, që nga krijimi i njerëzimit, qenia njerëzore, i ndikuar nga rrethana të ndryshme ka ndërmarrë veprime në dobi të saj ose në dëm të saj. Për t’ju mbrojtur kafshëve të egra, ata u detyruan të jetonin në shpella. Për të mbijetuar dhe për t’u ushqyer ata përdorën zjarrin, e kështu me radhë, kemi ardhur në ditët e sotme ku të gjithë priremi të shkojmë aty ku kemi interesat tona. Por sa e dëmshme mund të jetë kjo?
Për ta ulur në rrafsh më aktual dhe më real, një gjë e tillë ndodh sa herë zhvillohen zgjedhjet. Me t’u caktuar data e ‘tundjes’ së votës, shumë persona që nuk e dinin ekzistencën time dhe tënden, papritur na njohin dhe ‘kujtohen’ për ne. Ky është një fenomen që ka ekzistuar shekuj më parë dhe do të vijojë edhe për shumë kohë, derisa ne të ndërgjegjësohemi dhe të kuptojmë që nuk jemi qeniet njerëzore të fillimit, ku vepronim me instinkt, por duhet që veprimet tona të kenë edhe doza logjike në to.
Ajo që ndodh rëndomtë në vendin tonë është fakti se shumë nga aktorët politikë ndërrojnë bindje elektorale duke kaluar nga njëra parti në një parti tjetër, e kësisoj edhe ne ‘shkojmë pas tyre’ duke harruar se mund të jemi duke përkrahur dikë ose diçka që ne si individ ndoshta nuk na sjell asgjë të dobishme në vitet në vijim. Persona që dikur betoheshin për një bindje X politike, dalin dhe ‘bërtasin’ me të madhe për një bindje Y politike. A është kjo morale nga dikush që supozohet të na udhëheq në vitet në vijim? Duhet menduar se siç dikush lë në baltë partinë X, shumë shpejt, i zgjedhur nga ti, mund që lirisht të të lërë në rrugë edhe ty.
Ky fenomen bëhet akoma më i prekshëm kur vijnë zgjedhjet lokale, sepse në këto lloj zgjedhjesh luhet me bukën e secilës familje. Disa muaj para se qytetarët të shkojnë drejt kutive të votimeve, papritur në administratë ndodhin reforma të shpejta, të çuditshme dhe fantazma, ku pushohen disa punonjës për të vendosur disa të tjerë të cilët mund të jenë ‘makineri’ votash. Për të mos humbur vendin e punës, për të mos i pushuar nga puna të afërmit, familjarët, ne kushtëzohemi për ta dhënë votën ashtu siç realisht ne duam. Kësisoj vota e qytetarëve bëhet e pafuqishme përballë ofertës për punë, e cila do t’i shoqërojë për 4 vitet e ardhshme. Ajo që ndodh është se për 150 mijë vende pune të premtuara në administratë, duhet të vuajnë mijëra e mijëra të tjerë.
Duke zgjedhur të japim votën për hatër të vëllait, dajës, shokut, familjarëve të ndryshëm, ne s’kemi bërë asgjë tjetër veçse i kemi mohuar vetes që të shprehim zemërimin tonë, ndëshkimin ndaj një force të caktuar politike, duke mos e dhënë votën ashtu siç ne realisht mendojmë dhe duam. Pyetja është pse duhet ta japim votën për një vend punë në administratë kur mund të jemi personat e duhur dhe të kualifikuar për atë vend? A janë të gjithë të punësuarit në administratë ‘qoka politike’ dhe shumë prej tyre nuk e meritojnë të jenë aty ku janë?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve i kemi ne, ditën e zgjedhjeve, me fletën e votimit përpara.
Zgjidh ti, nëse do të përdoresh nga individë që ju duan vetëm për interesa personale, apo do zgjedhësh atë që është më e mira për ty. Ka ardhur koha që secili të mendojë për veten sepse vetëm kështu nesër-pasnesër mund të ankohemi për të zgjedhurin tonë. Nëse vendosim të ndjekim të tjerët, atëherë s’do mundemi të flasim më sepse zërin tonë ia kemi dhënë ta përdorë dikush tjetër…në këmbim të një vendi pune!/ Klara Murra