Greqia është nën presion në rritje për të filluar një hetim lidhur me fundosjen më 13 qershor të një anije me rreth 750 emigrantë. Të paktën 82 njerëz vdiqën dhe qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur, përfshirë gra dhe fëmijë. Shumica e migrantëve ishin nga Egjipti, Siria dhe Pakistani.
Qindra protestues marshuan në portin e Pireut të dielën drejt selisë së rojës bregdetare greke dhe agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian Frontex – duke mbajtur pankarta ku shkruhej fjala “vrasës”.
Mbytja e anijes me migrantë është aksidenti më i madh në vite ndërsa aludohet se autoritet nuk bënë sa duhet për të dhënë ndihmën e tyre.
Anija u nis nga Libia me rreth 750 persona në bord. Pamjet e marra nga një avion i agjencisë Frontex mëngjesin e 13 qershorit e tregojnë anijen pranë brigjeve greke.
Roja bregdetare greke tha fillimisht se anija ishte në një kurs drejt Italisë dhe nuk ndërhyri. Pastaj tha se u përpoq ta ndihmonte anijen e emigrantëve duke e lidhur me litar – por pretendon se emigrantët e zgjidhën atë.
Pamjet e marra po më 13 qershor nga një anije që shkoi më vonë për të ndihmuar migrantët, tregojnë ekuipazhin që u ofroi atyre ujë dhe ushqim. Anija e emigrantëve duket se po rindizte motorrët.
Anija u mbyt atë natë vonë në ujërat greke. Shumë të mbijetuar thanë se anijes i ishte fikur motori disa orë para se të fundosej.
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për hetime. Grupet e të drejtave të njeriut e kanë përkrahur kërkesën, duke thënë se dëshmitë e të mbijetuarve bien ndesh me variantin e ofruar nga roja bregdetare.
“Të mbijetuarit thonë se anija e tyre ishte lidhur me litar nga roja bregdetare dhe se shkaku i incidentit ishte litari, pasi anija mori kthesën e gabuar dhe u fundos. Është vërtet thelbësore që të bëhet një hetim i duhur, i pavarur dhe efektiv. Pamjet nga ajri tregojnë një anije në gjendje të keqe. Pra, organet janë të detyruara të ndërhyjnë, kjo është detyra e tyre. Ka një dështim dhe vonesë”, thotë për Zërin e Amerikës Kondylia Gogou me organizatën Amnesty International.
Greqia vazhdon të këmbëngulë se migrantët nuk kërkuan ndihmë dhe nuk ishin në rrezik deri në fundosjen e anijes.
Policia greke ka arrestuar nëntë të dyshuar, të gjithë shtetas egjiptianë, të cilët besohet se ishin në anije. Kritikët fajësojnë gjithashtu politikën evropiane për migracionin.
“Për sa kohë që BE-ja nuk ka politika të mjaftueshme për rrugë të sigurta dhe ligjore, këto lloj udhëtimesh të rrezikshme do të vazhdojnë”, thotë Kondylia Gogou me organizatën Amnesty International.
Të mbijetuarit u dërguan në një kamp migrantësh. Mes pikëllimit, herë pas here ka pasur edhe momente gëzimi, ndërsa të mbijetuarit u ribashkuan me njerëzit e tyre. Qindra njerëz që figurojnë të zhdukur, mendohet se kanë vdekur. Të dashurit e tyre kërkojnë të vërtetën dhe drejtësi./Marrë nga VOA/