Eliminimi i bujshëm nga Kupa e Botës që në fazën e grupeve ka sjellë edhe largimin e dytë nga stoli. Roberto Martinez i dha fund eksperiencës si trajner i kombëtares së Belgjikës menjëherë pas vërshëllimës së trefishtë në barazimin 0-0 ndaj Kroacisë. Një largim që edhe ishte menduar në ambientin e kombëtares belge, pasi 49-vjeçari kishte hyrë në muajt e fundit të kontratës dhe vetëm triumfi në Katar 2022 do ndryshonte udhën e fatit të tij.
Largimi i spanjollit vjen në momentin më të vështirë për kombëtaren e Belgjikës. Rënia e lirë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, ku tashmë gjendet në vendin e dytë, pozicion që i rrezikohet nëse njëra mes Argjentinës, Francës apo Anglisë ia del të triumfojë në Kupën e Botës. Roberto Martinez mori drejtimin e kombëtares Belge në vitin 2016, tre muaj pasi u shkarkua nga stoli i skuadrës angleze të Everton në maj 2016.
Ai pasoi Marc Wilmots, i cili udhëhoqi Belgjikën në krye të renditjes botërore për herë të parë nga nëntori 2015 deri në prill 2016. Nën drejtimin e kombëtares së “djajve të kuq”, Martinez ishte në stol në 80 sfida, ku ka koleksionuar 56 fitore, 13 barazime dhe 11 humbje, me një mesatare prej 70% për të triumfuar. Aktualisht emrat si pasues të Martinez në tryezën e Federatës Belge të futbollit mungojnë me drejtuesit e lartë që tashmë duhet të analizojnë situatën në skuadër për të vijuar një projekt të ri me “djajtë e kuq”./ Klan News