Inter ruan kreun e kampionatit edhe pas javës së 13-të. Zikaltërit u ndalën në një barazim 1-1 me Juventusin në Derbin e Italisë, pikë që vlen shumë për vazhdimësinë e klubit nga Milano në këtë pikë të sezonit. Në Torino u zhvillua një 90 minutësh tepër i ekuilibruar dhe me pak raste shënimi, histori që duket se i shkonte për shtat të dy skuadrave. Juventus shënoi në rastin e parë të krijuar në portën e Sommer.
Pasi fitoi topin në mesin e fushës, Vlahoviç përktheu në gol asistin e Kiezës për të kaluar në epërsi bardhezinjtë. Serbi shënoi golin e tij të pestë te Juventus këtë sezon dhe të 28-in në total në të gjithë kompeticionet. Reagimi i Interit ishte i shpejtë. Lautaro Martinez u tregua ‘vrasës’ para portës së Sheznit. Katër pasime të sakta nga portieri Sommer, te Dumfrajs dhe Turam, me këtë të fundit që shërbeu për argjentinasin për të vendosur baraspeshën.
Goli i 15 në të gjitha garat këtë sezon, diçka që e bën në sezonin e pestë radhazi. Në 255 paraqitje me Interin, Martinez ka shënuar 117 gola, 27 prej të cilëve në këtë vit kalendarik, për tu afruar me rekordet e Diego Milito dhe Christian Vieri me 28. Martinez është lojtari i dytë në 60 vitet e fundit që shënon të paktën 13 gola në 13 ndeshjet e para të kampionatit të Interit pas Mauro Icardit në 2017-18. Ndërkohë, sulmuesi argjentinas ka shënuar në katër ndeshje radhazi jashtë fushe. Lojtari i fundit i Interit që e bëri këtë ishte Romelu Lukaku.
“Pësuam një gol shumë naiv, veçanërisht pasi erdhi pak minuta pas golit tonë. Interi ka treguar tashmë se kur gjen hapësira të godet. Fati favorizon guximtarët, kështu që duhej të ishim solidë dhe agresivë . Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi dhe një mbrojtje solide është shumë e rëndësishme’’, u shpreh trajneri i Juventus, Massimiliano Allegri.
Verdikti i fushës ka sjellë optimizëm edhe në kampin e Interit.
“Ekipi mbeti i përqendruar. Shënuam një gol barazimi të mrekullueshëm. Nuk krijuam shumë, por morëm pikën që synonim. Një pikë ndaj Juventusit është pozitive”, tha trajneri i Inter, Simone Inzaghi.
Me këtë barazim Interi ka ruajtur kreun dhe distancën prej 2 pikësh nga Juventusi që mbetet në vend të dytë.