Për herë të parë në histori, titulli i NBA shkon në duart e Denver Nuggets. Skuadra nga Kolorado theu në ndeshjen e pestë finale Miami Heat, teksa triumfoi me shifrat e ngushta 94-89. Ishin miqtë ata që kishin epërsinë në dy periodat e para, por verdhekaltërit arritën që të kryenin përmbysjen dhe të shënonin fitoren e katërt. Një triumf i projektuar nga basketbollisti serb, Nikola Jokiç. Ylli i skuadrës së Denver bëri diferencën në parket, duke shënuar një double-double, prej 28 pikësh dhe 16 rebaund.
“Është një ndjenjë e mrekullueshme, por nuk mendoj se është gjëja më e rëndësishme në botë. Kemi luajtur basketbollin më të mirë. Mendoj se është një udhëtim i mrekullueshëm’’, u shpreh basketbollisti i Denver Nuggets, Nikola Jokic.
Festa ka qenë e madhe dhe në rrugët e Denver. Mijëra qytetarë festuan titullin që e kishin ëndërruar për dekada dhe që më në fund bëhet realitet. Lot gëzimi dhe emocione, plotësisht të merituara për kampionët e rinj të NBA amerikan.