Ashtu siç edhe pritej, derbi i kryeqytetit ka goditur edhe arkat e klubeve. Komisioni i Disiplinës pranë FSHF gjobiti me nga 200 mijë lekë si Partizanin ashtu edhe Tiranën për shkak të sjelljeve të tifozëve në stadiumin “Air Albania”. Një masë që u shoqërua edhe me dënimin e ndeshjeve pa spektatorë.
“Demat e kuq” nuk do të kenë mbështetjen e tifoz-grupit “Ultras Guerrils” në dy ndeshje kyçe për vazhdimësinë në Superiore, si ajo ndaj Vllaznisë në Shkodër dhe kundër Kastriotit në Tiranë. Sfida tepër të rëndësishme për ekipin e Giovanni Colella, që synon të ruaj ritmin e fitores në derbi dhe të afrohet gjithnjë e më shumë me trofeun.
Dorë akoma dhe më e rëndë për Tiranën. Përveçse 200 mijë lekëve për prishjen e stolave në stadiumin kombëtar, bardheblutë u dënuan me 4 ndeshje pa prezencën e tifozëve të grupit “Fanatics”, diçka që ndërlikon jo pak në ecurinë e kampionëve të Shqipërisë. Tirana e mbyll fazën e tretë pa prezencën e lojtarit të 12-të. Kryeqytetasit do luajë pa tifozë ndaj rivalëve të fortë të paktën në letër si Laçit, Bylisit, Erzenit dhe Kukësit.