Pritej të ishte sfida e konfirmimit, por rezultoi tepër fatale. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla pritet të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit. Lajmi u njoftua nga trajneri Jose Mourinho menjëherë pas barazimit me Milanin, duke hedhur dritë mbi një dëmtim të rëndë të 23-vjeçarit. Nga ekzaminimet mjekësore rezultoi se Kumbulla ka pësuar këputje të ligamenteve në gjurin e djathtë. Kjo do të thotë se mbrojtësi nuk do të jetë në gjendje për të zbritur në fushë para sezonit të ardhshëm, duke ndikuar sërish në formën e futbollistit.
Dëmtimi i Kumbullës prish edhe planet e kombëtares shqiptare. Trajneri Sylvinho nuk pritet ta ketë në dispozicion për duelin e 17 qershorit kundër Moldavisë dhe tre ditë më vonë ndaj Ishujve Faraoe. Për këtë shkak, braziliani do të ketë mundësinë për të gjetur një zëvendësues, me Berat Djimshitin që besohet se do marrë frenat e prapavijës kuqezi. Por Kumbulla nuk është mungesa e vetme e Romës për pjesën tjetër të sezonit. Edicioni mund të konsiderohet si i përfunduar edhe për Llorente, Karsdorp, Bove dhe Belotti.