E quajtur “cool” nga shumë persona për thjeshtësinë e saj, Kryeministres së Finlandës, Sanna Marin, i ka ardhur radha të përballet me reagimet në rritje pas një video që po qarkullon në rrjet prej të mërkurës, ku ajo shfaqet duke kërcyer e duke pirë alkool në një festë private me miqtë.
Shumë persona e kanë konsideruar sjelljen e kryeministres 36 vjeç të pahijshme për një udhëheqëse shteti, në kohën kur Finlanda po përballet me çmimet në rritje dhe krizë të energjisë elektrike. Madje, disa e kanë ironizuar videon duke thënë:
Është e mrekullueshme të shohësh të rinjtë tek festojnë. E ardhmja i përket të rinjve!.
🇫🇮 The Finnish Prime Minister @MarinSanna has come under fire, after a video of her partying was leaked today.
Allegedly, people can be heard in the background talking about cocaine use – but we have been unable to confirm this. pic.twitter.com/o0g4KGQ85a
— TLDR News EU (@TLDRNewsEU) August 17, 2022
Në videon, e cila thuhet se është postuar për herë të parë në Instagram Stories, Marin shihet duke pirë me një grup shokësh, ndërkohë që kërcen dhe këndon këngët e reperit finlandez Petri Nygrd dhe të këngëtarit pop Antti Tuisku. Gazeta britanike TLDR news shkruan se në sfond dëgjohen zëra duke folur për përdorim kokaine, por ky detaj nuk është konfirmuar ende.
Sipas gazetës Iltalehti, këngëtarja Alma, influencuesja Janita Autio, prezantuesja televizive Tinni Wikström, YouTuber Ilona Ylikorpi, prezantuesja e radios Karoliina Tuominen, stilistja Vesa Silver dhe deputetja Ilmari Nurminen nga Partia Social Demokrate e Marin janë ndër personazhet publike finlandeze që mund të shihen në video.
Sanna Marin është kritikuar edhe një herë tjetër pasi ka kaluar gjithë natën duke festuar në kohën e masave anti-COVID, gjë për të cilën Marin ka kërkuar falje. Për videon që qarkulloi të mërkurën, mediat vendase raportojnë se nuk është konfirmuar ende koha dhe vendi ku është regjistruar, pavarësisht se vetëm tani është bërë virale në Finlandë.