Kryeministri Edi Rama tha dje se nisma “’Ballkani i Hapur’ ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mision për të cilin lindi.” Rama la të kuptohej se nisma tashmë kishte përfunduar.
Lidhur me këtë deklaratë të Ramës ka reaguar edhe presidenti serbe Aleksandër Vuçiç. Ai ka thënë për mediat serbe se nisma është një ide autoktone e popujve të Ballkanit dhe se nuk beson se kryeministri Rama mund të thotë se “Ballkani i Hapur” ka përfunduar misionin e tij.
“Unë gjithmonë do të mendoj se ideja jonë, dhe jo e imponuar nga jashtë, do të jetë më e mirë, pavarësisht nga përmbajtja e dëshirave tona. Kjo është shprehje e dëshirave, pritjeve dhe marrëdhënieve tona, jo diçka nën kapuç. Nuk besoj se Rama ka thënë se Ballkani i Hapur ka mbaruar”, tha Vuçiç.