Debutim ëndrrash për Arbnor Mujën në Superligën turke. Në vetëm pak minuta në fushë, sulmuesi i kombëtares shqiptare la gjurmën e tij, teksa arriti të shënojë golin e fitores 2-0 që Samsunspor regjistroi ndaj Antalyaspor. I hedhur në fushë në minutën e 69-të, Muja duket se u përshtat siç duhet me skemën e skuadrës, me Markus Gisdol që ka gjetur çelësin e suksesit te Samsunspor. Muja u gjend i vetëm shumë pranë portës dhe me të djathtën tundi rrjetën. Një gol që çliron Mujën, i cili e nis siç duhet eksperiencën në Turqi.
“Lojtarët e rinj bënë diferencën në fushën e lojës dhe për këtë fakt jam i kënaqur. Me ardhjen e tyre, kemi më shumë mundësi për të ndryshuar futbollistë. Për këtë arsyeje jam i lumtur që e ndihmuar shumë ekipin. Edhe tifozët na dhanë një shtysë të madhe. Luajtëm me lojtarin tonë të 12-të. Ata dhanë një mbështetje shumë të madhe dhe dua t’i falenderoj”, u shpreh trajneri Gisdol.
Samsunspor duket se ka gjetur ritmin në drejtimin e Gisdol, pasi në takimet e shtëpisë ka fituar 23 pikë, për tu ngjitur në mesin e tabelës.
Performancë pozitive dhuroi edhe Ernest Muçi. Në takimin debutues të 22-vjeçarit, Beshiktash nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Kajserispor. Sulmuesi shqiptar u aktivizua si titullarë dhe qëndroi në fushë gjatë gjithë sfidës, për tu vlerësuar me notën 7.2.
“Jam i kënaqur me luftën dhe vendosmërinë e treguar nga lojtarët e mi. Nuk morëm rezultatin që dëshironim. Edhe kundërshtari ishte në nivelin e duhur. Nuk ishim produktivë në sulm. Ishte e drejtë që ndeshja të mbyllej në barazim. Do të marrim rezultate më të mira kur lojtarët tanë të lënduar të kthehen në ekip”, u shpreh trajneri i Besiktas.
Në kampionatin turk të futbollit aktivizohen edhe futbollistë të tjerë të kombëtares si Rey Manaj, Sokol Cikalleshi apo edhe Federik Veseli.