Kreativiteti nuk ka kufi. Në forma dhe mënyra të ndryshme njerëz kudo në botë i japin ideve formë duke i publikuar më pas online, ku edhe bëjnë “xhiron” e botës.
I tillë është edhe rasti i Yukkiko Morita, artistes japoneze e cila ndërthur dy nga pasionet e saj, dashurinë për bukën dhe artin, për të krijuar një produkt unik: Pampshades.
“Pam (japonisht për bukë) + ‘lamp shade’ (dritëhije në anglisht)= pampshades”, kështu ka shpjeguar shpjegon në rrjetet e saj sociale.
Ideja e artistet lindi kur ajo ishte duke punuar në një furrë në Japoni
“Punoja në një furrë buke kur isha studente dhe vura re ndryshimet interesante që i bëheshin bukës, që nuk i kisha menduar kurrë më parë. Buka duket e njëjtë çdo ditë, por mund të jetë krejtësisht e ndryshme në varësi të temperaturës dhe lagështisë ditore, gjendjes së tharmit dhe artizanit që e bën atë. Është si një gjë e gjallë, e bukur dhe e dashur, dhe unë rashë në dashuri me bukën. Unë kisha studiuar për art në shkollë dhe menjëherë mendova nëse mund të krijoja një vepër arti me bukën,” tha ajo gjatë një interviste për mediat vendase.
Menjëherë pas kësaj, Morita filloi të eksperimentonte me bukën.
“Unë fillova të eksperimentoj me bukën në një mënyrë që nuk kisha parë më përpara. Një mbrëmje pasi konsumova ushqimin, kishte mbetur ne tavolinë një kore e hollë. Në atë moment një rreze dielli nga perëndimi i asaj dite ra mbi bukë duke e ndriçuar atë. U mahnita dhe mendova me veten ‘Kjo është ajo që kam kërkuar’”, zbuloi Morita.
Morita tregoi edhe më me detaje për mënyrën sesi një bukë të cilën ne e konsumojmë në vaktet tona shndërrohet në një llamp artistike.
“E zbrazim me kujdes, më pas e lemë të thahet tërësisht dhe më pas e lyejmë me një bojë. Kjo përsëritet disa herë për të krijuar një shtresë të fortë mbi të gjithë bukën. Pasi të përfundojmë më bukën, pjesa tjetër ka të bëjë me pajisjen elektrike që i montojmë.”, vazhdoi ajo.
Ja se çfarë ndodh kur arti dhe buka bëhen bashkë.