Pasditen e sotme Partizani do të luaj takimin e parë në kuadër të turit të dytë të Conference League. Të kuqtë zbresin në fushë në Andorra kundër Inter D’Escaldes, skuadër që po kalon një moment të vështirë. Nga skuadra modeste është larguar trajneri kryesor, me sfidën që do drejtohet nga ndihmësi i tij, ndërsa rrugën e lamtumirës e ndoqën edhe 8 futbollistë. Situatë nga e cila Partizani synon të përfitojë, për të marrë rezultat pozitiv dhe për të kërkuar kualifikimin në takimin e kthimit. Partizani u eliminua nga BATE Borisov në turin e parë të Champions League, por në tërësi skuadra zhvilloi lojë cilësore sa u përket rasteve të krijuara dhe volumit të lojës.
Pavarësisht lojtarëve që ka në dispozicion, nuk pritet që Zekiç të bëjë ndryshime, pavarësisht se tashmë si opsione janë shtuar edhe emra si Taipi dhe Kocijan. Sembene pritet të konfirmohet në mbrojtje, teksa edhe në mesfushë nuk priten ndryshime. Në sulm mund të kemi aktivizimin e Grezdës në vend të Carës ose Da Silvës, me 28-vjeçarin që zhvilloi një paraqitje pozitive në sfidën e dytë ndaj bjellorusëve. E vetmja dilemë në lidhje me të është gjendja fizike. Partizani shkon pa asnjë dëmtim në këtë përballje e cila nis në orën 17:00.