Për të dytin vit radhazi, skuadrat shqiptare dështuan për të qenë pjesë e raundit të dytë në Conference League. Eliminimi i Kampionëve të Kosovës, Ballkanit i hapi udhë dy skuadrave të tjera të grupit për të vijuar më tej.
Nga kjo grup u kualifikuan Viktoria Pëlzen dhe Dinamo Zagreb, ekipe që do rivalizojnë me 24 skuadrat e tjera. Gara e tretë e UEFA-s është në kërkim të kampionit të ri, për t’iu bashkuar kështu Romës dhe West Ham në librat e historisë.
Mes skuadrave pretendente për titullin kampion është Legia e Varshavës. Polakët që në përbërje kanë dyshen shqiptare, Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka do tentojnë që të bëjnë mrekullinë në një kompeticion ku rivaliteti është i madh. Kjo pasi përveçse dy ekipeve të renditura më mirë në fazën e grupeve i bashkohen edhe skuadrat e renditura në vendin e tretë në grupet e Europa League.
Bëhet fjalë për skuadra si Olimpiakos, Ajaks apo edhe Real Betis, pretendente për të kurorëzuar me një trofe eksperiencën Europiane të këtij sezoni.