Milan zhgënjen sërish dhe aventura Europiane në Champions League mund të mbyllet më shpejt nga sa ishte imagjinuar. Një ndeshje nga fundi, kuqezinjtë rrezikojnë të mbeten jashtë kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit kontinental.
Humbja 3-1 në ‘San Siro’ ndaj Dortmund i pozicionon në vendin e fundit në grupin e “vdekjes”, dhe vetëm një mrekulli do i shihte në raundin tjetër. Përballja e radhës ndaj Newcastel duhet fituar patjetër, teksa kalimi në 1/16-at do të garantohej duke e kombinuar edhe me një humbje të Paris Saint-Germain ndaj Dortmundit tashmë të kualifikuar.
Francezët mbajnë shpresat për kualifikim pas barazimit në momentet e fundit të përballjes me Newcastel. Kylian Mbappe shënoi golin me vlerën e një pike, për të zhvlerësuar atë të Isak, i cili u bë lojtari i parë i anglezëve që shënon në transfertë në një ndeshje të Champions League që prej vitit 2003.
Llogari të mbyllura në grupin G. Përmbysja spektakolare e Manchester City, 3-2 përballë Lajpzig dhe triumfi 2-0 i Young Boys ndaj Cërvena Zvezda bëri që të tre skuadrat të garantonin rrugëtimin në kompeticionet e UEFA-s.
Kampionët në fuqi të kompeticionit treguan se këtë sezon do luftojnë për të mbrojtur titullin e sezonit të shkuar. Për herë të parë, anglezët arritën të përmbysnin disavantazhin e dygolave në pjesën e parë, diçka që kishin dështuar për ta arritur në 6 ndeshje me histori të ngjashme. Erling Haland shënoi golin e 40 në Champions League në paraqitjen e tij të 35. Ai ka shënuar 12 gola kundër Lajpzig, për ta shndërruar skuadrën gjermane në prenë e tij të preferuar.
Barcelona triumfoi me vështirësi 2-1 ndaj Portos për të ruajtur kreun dhe kualifikuar më tej. Kanselo ishte më i miri në fushë, me një gol e një asist për të përmbysur avantazhit momental të portugezëve. Edhe grupi E ka mbyllur llogaritë një ndeshje para fundit. Atletico Madrid dhe Lazio kualifikohen në Champions League, ndërsa Fejnordi garanton vendin në Europa League për të lënë jashtë Celtic.