Shtetet e Bashkuara zbuluan se do të dërgojnë një sistem ajror kundër dronëve të njohur si VAMPIRE në Ukrainë si pjesë e paketës së saj të fundit të ndihmës ushtarake.
Sipas ‘Newsweek’, më 24 gusht, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Pentagoni njoftoi se do të furnizojë vendin me gati 3 miliardë dollarë pajisje dhe municione ndërsa po lufton pushtimin rus.
Dhe në këstin më të madh të ndihmës për sigurinë për Ukrainën që SHBA ka dërguar deri më sot, përfshihet një numër i paspecifikuar sistemesh kundër dronëve të quajtur “Vehicle-Agnostic Modular Modular Paletized ISR Rocket Equipment”, ose “VAMPIRE”, ka konfirmuar për Newsweek, një zëdhënës i L3 Harris, një kompani teknologjie dhe kontraktor i mbrojtjes.
VAMPIRE përshkruhet si një sistem modular që ofron “aftësi goditëse precize”. Përveçse është në gjendje të synojë dronët dhe mjetet e tjera ajrore pa pilot, VAMPIRE është projektuar për të përfshirë një sërë objektivash të tjerë.
Ashtu si Sistemet e Raketave “HIMARS”, të cilat SHBA i kanë dërguar gjithashtu në Ukrainë, VAMPIRE mund të vendoset në automjete si kamionçina.