Cagliari rikthehet në Serie A, duke fituar në play-off kundër Barit. Vendasit edhe pse të mbështetur nga tifozeria, e cila kishte mbushur stadiumin “San Nikola” me kapacitet 58 mijë persona, u mundën në takimin e kthimit me rezultatin 1-0.
Golin që vendosi ngjitjen e skuadrës së drejtuar nga Claudio Ranieri e shënoi Pavoleti në minutën e 94-të të lojës. Cagliari është skuadra e tretë që shkon në Serie A, pas Frosinones dhe Xhenoas.
Ndeshja e parë përfundoi me rezultatin 1-1, ndërsa ajo e kthimit me fitoren e sardëve. Në përfundim të takimit, trajneri 71-vjeçar u bë protagonist i një episodi fair-play.
Ndërsa tifozët e ardhur në Bari bërtisnin “Seria B Seria B”, ai iu drejtua atyre dhe u bëri me shenjë që të ndalnin e të duartrokisnin lojtarët e Cagliari. Për mediat Ranieri tha se nuk e kuptoi se përse tifozët nisën të bënin të tilla kore. Sipas tij Bari ishte një rival i denjë dhe meriton respekt.