Në qytetin e vogël të Bulqizës, çdokush ka një histori për të treguar, dikush historinë e tij, dikush të ndonjë miku ose të afërmi, e dikush tjetër se e ka dëgjuar nga persona të tjerë. 71-vjeçari Kurt Melani e rrëfen historinë e tij me shumë ëndje dhe nostalgji, sot pas 42 vitesh nga ngjarja që e la me pasoja të rënda fizike dhe që i mori jetën kolegut.
42 vitet e Kurtit pas aksidentit kanë kaluar shpejt, por ai nuk e harron periudhën që ka punuar në minierë. Koha ka bërë atë që di të bëjë më mirë, ka skalitur në fytyrën e Kurtit rrudhat që e bëjnë më fisnik. Babai i 4 fëmijëve jeton tashmë vetëm me bashkëshorten e cila i ka qëndruar afër gjatë gjithë këtyre viteve dhe e quan miken e tij më të mirë. Kurti ka studiuar nëntokën dhe është profilizuar si minator. Shkolla e ka bërë që çdo ditë të punës së tij në minierë ta kryejë sipas rregullave strikte.
Bazuar në historitë të cilat tregohen nëpër qytetin e Bulqizës, norma e punës ishte ai element i cili bëhej shkaktarë për aksidentet dhe për humbjet e jetëve. Kurti mbeti invalid në një moshë të re, përballë faktit se fëmijët dhe gruaja e tij nuk kishin më një krah se ku të mbështeteshin.
Shtëpia e tij ndodhet në katin e tretë të një pallati katërkatësh. E dinin që do të shkonim dhe në tavolinën e dhomë së ndenjes ishin servirur këndshëm disa ushqime të cilat mund ta bënin bisedën e dhimbshme pak më të ëmbël. Kurti, një burrë shtatlartë, i kollarisur dhe i “hekurosur deri në kockë”, na përshëndeti me një buzëqeshje dhe kështu po na uronte mirëseardhjen.
Biseda nisi shumë natyrshëm…
‘Rrini si në shtëpinë tuaj, do të tregoj atë që kam përjetuar sot e 42 vite më parë. Të gjitha punët kanë vështirësitë e tyre, por kjo e jona është e vulosur që herët ose vonë do të aksidentohesh, do dëgjosh një histori aksidenti nga një mik dhe të bëhet e pashmangshme’-nisi të thoshte Kurti, si për të na mësuar që shumë gjëra njerëzit nuk i dinë dhe do të na i thoshte ai pak e nga pak.
Kur punon në minierë, zjarrmëtarët, teknikët dhe minatorët punojnë në grup dhe nëse njëri bën një veprim të nxituar apo në mënyrë të gabuar, pa respektuar me përpikëri protokollet e sigurisë, rrezikon jetën e të gjithëve. Gjatë gjithë bisedës në fytyrën e 71-vjeçarit shfaqej seriozitet dhe kuptohej që aksidenti kurrsesi nuk mund të kishte ndodhur nga neglizhenca e tij.
‘Aksidenti ndodhi nga pakujdesia e njërit prej kolegëve të mi. Na kishin lënë porosi që të bënim gjithsej 18 vrima në mur. Kur kolegu im, Femi Skënda bëri vrimën e parë, u nis drejt sipërfaqes që të furnizohej me dinamit, ndërkohë që ne filluam punën. Pasi u kthye, filloi që t’i mbushte vrimat.’-vijoi Kurti.
Aksidenti ndodhi në zonën D në gushtin e vitit 1978, zonën më famëkeqe të minierës së Bulqizës. Nuk e ka kuptuar ende se si shoku i tij, për të shkurtuar orët e punës vuri në rrezik jetën e kolegëve, teksa për vetë atë ky nxitim rezultoi fatal. Femiu ishte zjarrmëtar dhe i gjithë grupi ishte me sytë nga ai. Një gabim sado i vogël, do iu kushtonte jetën të gjithëve! Dhe ashtu ndodhi. Koha për të dalë në sipërfaqe para se të bëhet shpërthimi është e pamjaftueshme, dhe sot vijon të jetë një problem, por Femiu me prerjen e fitilave ua vështirësoi edhe më shumë punën shokëve të grupit.
Kurti është strikt, flet me metra dhe sekonda, mban mend çdo dorë që i është shtrirë në atë moment të vështirë, që tek kolegu që i dha ndihmën e parë duke e nxjerrë në sipërfaqe, deri te bluzat e bardha që e mjekuan.
‘Isha në turnin e dytë dhe po punoja në zonën D, zona më e rrezikshme sot për sot në minierën e Bulqizës. Unë po bashkëpunoja me zjarrmëtarin Femi Skënda. Unë bëja në mur vrimat që më pas do të mbusheshin me eksplozivë, ndërsa Femiu vendoste eksplozivin. Diçka nuk shkonte. Pa dijeninë time zjarrmëtari kishte shkurtuar fijet e dinamitit, kjo gjë nuk lejohej dhe ai kishte shkelur kategorikisht të gjitha rregullat teknike duke vënë në rrezik jetën e të gjithëve ne.’-tregon ai.
Femiu i kishte prerë fitilat e dinamitit nga 2 metra në 1 metër, këtë e kishte bërë për të shkurtuar kohën e punës dhe për të mbaruar më shpejt me normën. Por ka diçka, ishte e llogaritur që fitili të digjej ngadalë dhe të na jepte ne kohë të dilnim në sipërfaqe. Edhe sot ka një problem shumë të madh me minat me sahat, pasi fitili i një mine me sahat është e llogaritur që të digjet 1 cm për 1 sekond, 200 cm për 200 sekonda, pra sipas prodhuesit, ne duhet të dalim nga miniera për 3 minuta e 20 sekonda, por është e pamundur të dalësh nga zona D për aq pak kohë”, -rrëfen 77 vjeçari.
Shpërthimi i minave e kapi grupin e punës të papërgatitur. Nga plasja, kandili u fik dhe mbi trupin e Kurtit rrezikonin të binin 17 vagonë me krom, thënë ndryshe 25.5 ton krom (1 vagon ka 1.5 ton krom). Materiali i rënë, zuri poshtë Kurtin, i cili shpëtoi si për mrekulli. Atij iu thye krahu dhe gjithë trupi iu mbulua nga kromi. Ndërkohë, Femiu ndërroi jetë kur po e transportonin në spital. Dhe sot e kësaj dite, kur kujton dhimbjet që ka pasur, i rrëqethet trupi.
‘Dhimbjet e mia sa vinin dhe shtoheshin, dorën e kisha të thyer dhe pritën 10 ditë për të më çuar në Peshkopi që të më operonin”, tregon ai, teksa kujdeset të përmend doktor Sabri Toskën që i bëri operacionin, pa lënë në harresë Petrit Alliun dhe shefin e zonës, Haxhi Nasufi që e dërguan në spital. Emrat e tyre janë skalitur në memorien e tij përgjithnjë, kurrsesi nuk mund t’i harrojë! Për të do të ishte një shenjë mosmirënjohjeje, pasi jetën për së dyti e ka prej tyre.
Sikundër mban mend personat që i shtrinë dorën kur kishte më së shumti nevojë, nuk i harron as ata që u bënë shkak për invaliditetin e tij. Atë që s’ia bëri aksidenti e gjeti nga njerëzit, dy mjekët që ia shuan shpresën se një ditë do të bëhej më mirë.
‘Nëse kisha një mundësi që të bëhesha më mirë, mjekët Tahir Halku dhe Rifan Jashari ma shuan atë. U treguan të pakujdesshëm kur unë shkova të hiqja hekurat nga dora duke ma paralizuar atë, por falë Zotit jam akoma gjallë. S’jam në gjendjen time më të mirë, por të paktën po shikoj nipërit dhe mbesat e mi të rriten’ – tregon Kurti, teksa hedh vështrimin nga muri ku gjendeshin të varura fotografitë e të vegjëlve të shtëpisë.
Historitë e minatorëve të plagosur në nëntokë, kanë një emërues të përbashkët, të gjithë rikthehen sërish aty . Jo sepse duan, por se janë të detyruar nga të tjera rrethana. Vështirësia ekonomike, detyrimet familjare, por edhe të gjendurit në një qytet që nuk të ofron shumë mundësi punësimi janë tre motivet kryesore të kësaj lidhjeje të pashmangshme midis minatorit dhe minierës, pavarësisht asaj se ç’mund të kishin kaluar. Kështu ndodhi edhe me Kurtin. “Pas 5 muajsh raport u riktheva sërish në punë edhe pse i kisha hekurat në dorë” , rrëfen ai, ku dhe 15 vite të tjera të jetës, pas aksidentit i kaloi në minierë.
Sot Kurti gëzon statusin e invalidit të grupit të 4 (të gradës së lehtë) dhe merr 2.200 lekë në muaj asistencë nga Bashkia, të cilat ai i quan turp pasi ato para nuk dalin për asgjë. Ka punuar gjithë jetën punë të rëndë, të rrezikshme, por kurrë nuk është vlerësuar aq sa duhet financiarisht e as nga vetë shoqëria, për këtë motiv ka këmbëngulur që fëmijët të largohen jashtë shtetit. Kjo edhe sepse e di se të punosh në minierë do të thotë që “të dalësh nga shtëpia çdo ditë me qefin”.
‘Më mirë emigrant se me frikën vdes sot e vdes nesër. Më mirë t’i shikoj njëherë në dy vjet sesa t’i shikoj në dhe’” – e përfundon historinë e tij, i dërmuar në shpirt, por stoik dhe i pathyer, Kurti./ Klara Murra