Teksa kalohet në lagjet e dëmtuara, është e vështirë të dallosh shkatërrimin e shkaktuar nga lufta civile 12-vjeçare e këtij vendi dhe shkatërrimin e shkaktuar nga tërmeti.
Në rrugë sheh banorë të mbështjellë me batanije dhe pallto që presin në sheshet e ftohta të rrethuar nga mbeturinat. Në lagjen lindore të al-Shaar, zhurma e gërmuesve kumbon në sfondin e ndërtesave shumëkatëshe të rrafshuara deri në tokë.
“Ne njohim dikë në atë pallat që jetonte në katin e parë… ai nuk kishte kohë të mjaftueshme për të dalë nga shtëpia e tij”, tha një grua, duke bërë me shenjë drejt një grumbulli rrënojash.
“Ndërtesa u shemb ndërsa ai ishte ende atje. Ai vdiq së bashku me gruan dhe fëmijët e tij. Vetëm njëra nga vajzat e tij ka shpëtuar nga rrënojat dhe tani ndodhet në spital,” vijon ajo rrëfimin.
Tërmeti ka sjellë më shumë mjerim në një vend tashmë të kapur nga kriza.
Numri i të vdekurve në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe rebelët ka arritur në gati 4000, me më shumë se 7,000 njerëz të raportuar të plagosur ose të pagjetur.
Pjesa më e madhe e Alepos u shkatërrua në luftën civile, e cila shpërtheu në vitin 2011 kur një kryengritje paqësore kundër presidentit Bashar al-Assad u shndërrua në dhunë.
Pavarësisht përpjekjeve për të rindërtuar disa pjesë të ish qendrës kozmopolitane, qyteti ende mban plagët e luftës midis qeverisë siriane të mbështetur nga Rusia dhe grupeve rebele. Tani, ekipet e shpëtimit duhet të rrëzojnë edhe disa nga ndërtesat që janë ende në këmbë, nga frika se mund të shemben më vonë.
“Ka rreth 60 ose 70 njerëz ende të bllokuar nën rrënoja; vetëm katër ose pesë persona dolën,” tha ai.
Përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga paqëndrueshmëria e ndërtesave të mbetura në këmbë.
“Siç mund ta shihni, ndërtesat nuk janë të sigurta ndërsa ne punojmë për të shpëtuar njerëzit. Ka një numër të madh njerëzish në strehimore. Shumica e tyre janë njerëz që u evakuuan sepse ndërtesat e tyre nuk janë të sigurta”, na tha një oficer i ushtrisë.
Pas vitesh lufte dhe tani një tërmet jashtëzakonisht shkatërrues, nuk dihet se çfarë do të ndodhë më pas për ta.