Pas gjashtë vitesh dhe dy zhgënjimesh në kampionatin Botëror, ciklit të trajnerit Tite në krye të pankinës së Brazilit i erdhi fundi. Tekniku në drejtimin e kombëtares “Selecao” që prej vitit 2016 nuk arriti që të ngjis Brazilin në majën e futbollit botëror. Tani është koha për të kërkuar një zëvendësues dhe ëndrra e federatës braziliane dhe e një popullate të tërë ka një emër dhe një mbiemër. Sipas asaj që raportojnë mediat botërore, emri që intrigon më tepër është padyshim ai i Pep Guardiolës.
Mision thuajse i pamundur sepse trajneri spanjoll sapo ka rinovuar me Manchester Cityn deri në vitin 2025 dhe ka një pagë tepër të lartë për arkat e federatës braziliane, më shumë se 20 milionë euro. ‘Selecao’ bëri një sondazh për shpikësin e ‘tiki-taka’, por gjithçka ngeci për shkak të kushteve ekonomike që kërkon spanjolli.
Guardiola duket se është i destinuar të mbetet një ëndërr, gjithsesi, profili i spanjollit nuk është i vetmi në tavolinën e drejtuesve të futbollit Brazilian. Shumë lidhen me legjenda të futbollit, si Rogerio Ceni dhe Cuca, teksa pritet edhe rikthimi i Mano Menezes. Ndërkaq, në listën e dëshirave gjendet edhe argjentinasi, Jorge Sampaoli. Aktualisht 62-vjeçari trajnon Sevilla, me të cilët ka një kontratë deri në 2024./ Klan News