Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar ndaj Kinës duke thënë se nëse nuk ndalon së furnizuari Rusinë me pajisje, do të ndërmarrë masa. Duke folur për BBC, diplomati kryesor i Amerikës tha se ia bëri të qartë homologut të tij kinez se ata ishin duke ndihmuar në nxitjen e kërcënimit më të madh të sigurisë europiane që prej Luftës së Ftohtë.
Ai nuk tha se çfarë masash po përgatitet SHBA-ja që të marrë. Por Blinken theksoi ndër të tjera edhe progresin që është bërë në disa fusha. Ai lavdëroi Pekinin për përpjekjet në goditjen e furnizimeve të fentanilit që synon të çohet në SHBA.
Kina mbetet burimi kryesor i fentanilit për SHBA-në teksa Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se kjo po shkakton një krizë të shëndetit publik në të gjithë vendin. Blinken theksoi ndër të tjera se ndjen që Pekini mund të luajë një rol konstruktiv në Lindjen e Mesme duke përdorur lidhjet e saj me Iranin dhe ta nxisë këtë të fundit kundër përshkallëzimeve të mëtejshme në përballjen me Izraelin.
Ditët e fundit, SHBA-ja kaloi një ligj që do të detyrojë pronësinë kineze të TikTok që ta shesë aplikacionin ose të ndalohet në Amerikë. Më herët, Blinken u takua me Presidentin e Kinës, Xi Jinping.