Me duartrokitjet e mazhorancës, kërkesa për shkarkimin e Lindita Nikollës nga drejtimi i Kuvendit u rrëzua me 78 vota të socialistëve. Grupimi i Enkelejd Alibeajt vendosi të braktisë votimin, ndërsa as të ‘Rithemelimit’ nuk dhanë votën e tyre duke qëndruar deri në fund stoik në foltoren.
Në fjalën e saj, Lindita Nikolla tha se kërkesa e opozitës nuk është e bazuar në fakte, por reflekton hallet e brendshme të partisë.
“Pasi u njoha me këtë kërkesë, edhe unë ndalova dhe fillova të reflektoj. Ktheva kokën pas për të parë se ku kisha gabuar, por më rezultoi se shumica e acarimeve dhe konflikteve në Kuvend kanë ardhur jo për shkakun tim. Jo rrallë herë edhe për shkak të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve tuaja të brendshme. Prandaj nuk e paragjykoj këtë kërkesë si një dobësi tuajën përballë trysnive a halleve të brendshme të partisë, por si një e drejta juaj, në rrethanat tuaja, prej emocioneve tuaja, për ambiciet tuaja. Ndonëse jo të gjithë e pranoni publikisht a konfidencialisht, në thellësi të vetes, e ndjeni se kjo kërkesë nuk është ajo që i duhet Kuvendit”, tha Nikolla.
Ajo theksoi se nuk do të lejojë situata të tensionuar në Kuvend, duke thënë se do të respektojë Kushtetën.
“Kurrë mos t’ju shkojë ndërmend se unë do të pajtohem me një situatë kur ju, si deputetë të opozitës, të përpiqeni të shkatërroni procesin parlamentar dhe unë të bëj sehir. Nëse ju i keni venë vetes këtë qëllim, sepse kështu mjegullohen para qytetarëve hallet tuaja të brendshme partiake, unë i qëndroj besnike betimit tim, mbroj Kushtetutën dhe integritetin e Kuvendit të Shqipërisë. Është detyra ime të ndaloj me të gjitha format që më njeh Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare që konfliktet partiake të mos helmatisin agjendën e Kuvendit. Opozita mund dhe duhet ta kontrollojë, por nuk mund t’i diktojë shumicës vullnetet e saj”, përfundoi Nikolla.
Në seancë, pas disa herëve mungesë, erdhi edhe kryeministri Edi Rama. Ai hodhi votën kundër shkarkimit të Nikollës, por zgjodhi të heshtë.