Presidenti amerikan Joe Biden mbajti fjalimin e tij të dytë për gjendjen e vendit ku përcolli një mesazh optimizmi dhe bashkimi për të ardhmen. Ai u shtriu dorën e bashkëpunimit republikanëve, por i sfidojë ata për çështje si taksat ndaj korporatave. Biden foli për disa orë ku ndër to vuri në dukje edhe problemet e brendshme si vrasjet masive, forca e ekzagjeruar e policisë dhe ndër të tjera konfirmoi bashkëpunimin me Kinën, por u zotua të mbrojë vendin duke iu referuar balonave spiune kineze.
‘‘Kam kandiduar për president për të ndryshuar rrënjësisht gjërat, për t’u siguruar që ekonomia jonë të funksionojë për të gjithë, në mënyrë që të gjithë të ndjejmë krenari për atë që bëjmë. Ne kemi krijuar tashmë, me ndihmën tuaj, 800 mijë vende pune me pagesë të mirë në prodhim, rritja më e shpejtë në 40 vjet. Inflacioni ka qenë një problem global sepse pandemia prishi zinxhirët tanë të furnizimit dhe lufta e padrejtë dhe brutale e Putinit në Ukrainë ndërpreu furnizimet me energji, si dhe me ushqime. Por ne jemi të pozicionuar më mirë se çdo vend në Tokë tani. E dini, shpesh na thuhet se demokratët dhe republikanët nuk mund të punojnë së bashku. Por gjatë dy viteve të fundit, ne dëshmuam se cinikët dhe kundërshtuesit e kishin gabim. Po, ne nuk u pajtuam shumë dhe po, kishte raste kur demokratët shkonin vetëm. Por herë pas here, demokratët dhe republikanët u bashkuan, u bashkuan për të mbrojtur një Evropë më të fortë dhe më të sigurt’’, u shpreh Biden.
Presidenti Joe Biden sfidoi republikanët të heqin tavanin e borxhit të SHBA dhe të mbështesin politikat tatimore për amerikanët e klasës së mesme në një fjalim që shërbeu si një plan për rizgjedhjen e tij në 2024.