Një marrëveshje ambicioze, nën titullin edhe më ambicioz “Deklarata Atlantike”, u njoftua nga Joe Biden dhe Rishi Sunak, pas takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Edhe pse Deklarata tani për tani është vetëm një seri marrëveshjesh të vogla dhe individuale, simbolika e saj është e rëndësishme, komenton The Guardian . Marrëveshja shënon një zhvendosje nga doktrina britanike e tregtisë së lirë të pakufizuar në proteksionizëm të ndërsjellë.
Kjo do të thotë se Britania e Sunak është fort në orbitën ekonomike të qeverisë amerikane dhe sinjalizon një ringjallje të lidhjeve midis dy vendeve pas trazirave të Brexit.
Britania është pjesërisht në bord me dispozitat e Aktit të Reduktimit të Inflacionit (IRA) të Bidenit, i cili ofron subvencione masive për infrastrukturën e gjelbër. Prodhuesit e makinave elektrike në Britani, ndër të tjera, do të përfitojnë nga një pjesë e skemës së subvencionimit të IRA-s.
Marrëveshja do t’u japë kompanive britanike të energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes akses në tregjet e SHBA-së, ndërkohë që do t’i lejojë bizneset britanike të përfitojnë nga subvencionet amerikane.
Megjithatë, të gjitha shpresat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë pas Brexit-it po braktisen. Në vend të kësaj, do të zbatohen një sërë marrëveshjesh sektor pas sektori, nga prokurimi i mbrojtjes te të dhënat dhe aftësitë.