Ish kryeministri Sali Berisha është shprehur se Saimir Tahiri është liruar pasi i vuri ultimatum kryeministrit Edi Rama, se i është sosur durimi e për rrjedhojë do të flasë për lidhjet e me krimin.
Për Berishën, Tahiri e ka kërcënuar Ramën se do të tregojë për lidhjet që ka ai së bashku me të vëllanë, Olsi Rama, me bandat nga Meksika deri në Afrikë të Jugut.
“Saimir Tahiri u lirua me urdhër të Edi Ramës me ultimatumin që i çoi se është dita e durimit, përndryshe do zbërthej të gjitha lidhjet e Olsit dhe Edit me bandat që nga Meksika deri në Afrikë të Jugut.
Kështu që është një urdhër direkt i Edi Ramës. Saimir Tahiri ia dha këtë ultimatum botërisht. I keni parasysh deklaratat e tij. Më në fund ai arriti ta mposhtë Edi Ramën, i cili tani është i ngërthyer në aferën McGonigal. Po bën lobimin më të fuqishëm, por nuk do të shpëtojë dot me gjithë angazhimin e Soros dhe miqve të tij. Unë kam bindjen se drejtësia amerikane do i tregojë vendin këtij korruptori të McGonigal”, tha Berisha.
Gjykata e Elbasanit vendosi sot që pjesën e mbetur të dënimit, prej gati 1 vit e disa muaj Saimir Tahiri ta kryejë në shtëpi. Saimir Tahiri paraqiti ekspertizë mjekësore që nuk duhet të qëndrojë në burg. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.