Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vijon të mashtrojë qytetarët. Ai tha se Rama ka gënjyer për rritjen e pagave, premtim i cili tashmë ka mbetur në parlament, pa marrë miratimin përfundimtar.
Nga Kavaja, ish-kryeministri përsëriti ftesën ndaj kreut aktual të qeverisë që të mblidhet Kuvendi e të miratojnë këtë ligj për pagat. Berisha thotë se kjo mund të bëhet që nesër.
“Edi Rama bën gjithçka për të mashtruar qytetarët. U zotua se do bëjë rritje të madhe rrogash dhe pensionesh. Bëri një ligj, por e mbylli parlamentin.
E ftoj sërish nesër, hajde të votojmë ligjin e rrogave dhe pensioneve. Por ti je mashtrues.
Atë nuk e lidh asgjë me këtë komb dhe këtë popull. Ti je një pushtues i përçudnuar që mendon për miliardat e tua dhe të klientelës tënde”, tha Berisha.
Me tej, Berisha me të njëjtat akuza për mashtrim sulmoi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Nuk ka burrë në moshë të Erion Veliajt që ka vjedhur sa ai. Një kryetar që thotë se mbolla 1 milionë fidanë, por vodhi faturën e 1 milion fidanëve. Një hajdut që thotë se ndërtova 40 shkolla, ndërkohë që kur i numëron, ka ndërtuar 12 shkolla, por ka vjedhur fonde për 40 shkolla.
Erion Veliaj është një turp jo vetëm për rrugët e Tiranës, jo vetëm për rrugët e Kavajës, por është turp kudo që ecën. Dhe vjen këtu për të rrëmbyer votat e Kavajës. Erion, larg duart nga Kavaja! Kavaja nuk shitet dhe nuk blihet kurrë”, përfundoi Berisha.