Ditën e sotme, në një kohë kur seanca plenare po zhvillohej në Kuvend, Sali Berisha dhe aleati i tij Ilir Meta mbanin protestën e radhës, ose atë që kanë preferuar ta quajnë si revolucion. Të dy, Meta dhe Berisha kanë përdorur një gjuhë të ashpër, ku ky i fundit ka sulmuar sërish ambasadoren amerikane Yuri Kim.
“McGonigal i cili tradhtoi vendin e tij po tradhtar ka kudo, u pagua si vrasës me pagesë për të shkatërruar opozitën me qëllim të vetëm për pushtetin e Edi Ramës ku të vidhte dhe të vinte gjoba pasanikësh shqiptarë. Të gjitha këto për pushtetin që sipas tij mbështetej nga institucioni i FBI. Në pamje të parë ai ishte një armik, i egër i opozitës shqiptare. Por, nuk punuan më pak për pushtetin e Edi Ramës edhe Gonigalë të tjerë. Kujtoni deklaratat e Gonigalëve me imunitet diplomatik. Ata ishin pengje korrupsioni të Edi Ramës. Që tani struken, se mos u dalin lidhjet e Gonigalit. Mos u strukni u them, dilni se për shqiptarët jeni Gonigalët e vërtetë”, tha Berisha.
Për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, qëllimi i kryeministrit Edi Rama është asgjësimi i demokracisë.
“Asgjësimi i demokracisë është skenari i Edi Ramës. Përmendi traun doktori. E kanë shumë qejf traun, e duan traun kudo, e vunë edhe në Divjakë. U bëj thirrje të gjithëve që na dëgjojnë, mos prisni t’ua vejnë traun dhe t’u marrin lekë edhe kur dilni e hyni. Jam i bindur se në këtë mënyrë të qëndrueshme, të vendosur, paqësore, demokratike, shumë shpejt në sallën e Kuvendit do të dëgjohet fjala e lirë dhe drejtësia s’do jetë më në xhepin e Edi Ramës”, tha Meta.
Protesta e radhës pritet të mbahet në 3 mars, ditën kur Gjykata e Apelit pritet të vendosë për fatin e Partisë Demokratike, se kujt do i japë vulën.