Sali Berisha ka hedhur akuza se zgjedhjet e 14 majit janë vjedhur. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se vullneti i qytetarëve është shtrembëruar. Ai e cilësoi kryeministrin Edi Rama si “përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor”.
“Zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala. Ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese vullnetin e shqiptarëve, rezultatin e votimit. Raporti paraprak ndonëse është paraprak tregon se nga problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke nisur nga makineria shtetërore elektorale, si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që krijon pabarazi, ndalet në të gjithat fushat antiligjore të ndërhyrjes, nënvizon blerjen masive të votës deri dhe presionet e tjera të administratës mafiozë, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit. Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysmëfraze nga përfaqësuesit e OSBE-ODIHR, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian dështuan”, tha Berisha.
Ai u ndal edhe në Shkodër, ku tha se rezultati erdhi për shkak se “është derdhur leku lum”.
“Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha poll-et e kundërshtarëve tanë, por dhe tonat e nxirrnin Spahinë 14 pikë përpara. Nëse mendon se tërhiqet Berisha para krimit sheh veshin e tij pa pasqyrë. Unë nuk tërhiqem para bandave. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilin u votua si në rrethinë, nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro. Jam i bindur se qytetarët e Shkodrës, zgjedhjen e krimit nuk do ta pranojnë”, përfundoi ai.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” mori vetëm 7 Bashki nga 61 në total.