Ish kryeministri Sali Berisha nuk pranon rezultatin e humbjes në 14 maj dhe hedh akuza të forta në drejtim të Edi Ramës. Ai tha se kjo është hera e parë që blihen votat hapur.
“Kjo është hera e parë në histori që vota nuk blihet më vetëm nën dorë, por haptaz. Publikisht, me 670 mijë zarfa, me 50 mijë lekë (të vjetra) secila, dorëzuar çdo pensionisti shqiptar. Vota u ble haptaz dhe këtë nuk e them unë, por e shpalli kryeministri Edi Rama, kur mblodhi punonjësit në kryeministri dhe i rriti rrogat. Si kurrë në histori, kryeministri mobilizoi Fondin e Pagave dhe Pensioneve për të grabitur zgjedhjet”, shtoi Berisha.
Sipas tij, ky proces zgjedhor ishte në kundërshtim me cdo ligj.
“Ky proces u karakterizua nga konsolidimi i një makinerie gjigante të blerjes së votës nga qeveria dhe mafia e saj. Ky është procesi i parë në 32 vite, që nisi me deklaratën e kryeministrit se Kodi Elektoral është një kinezeri për të. Nisur nga ky koncept, të cilin ai e shpalli nga zyra e tij në kryeministri, vetëkuptohet që zgjedhjet do të ishin një proces pa asnjë garanci ligjore, zgjedhjet do ishin një proces vullneti i një njeriu, që ligjin, Kushtetutën e zgjedhjeve, e quan një kinezeri”, deklaroi Berisha.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” fitoi në vetëm 7 Bashki.