Bashkimi Evropian pritet t’u kërkojë Kosovës dhe Serbisë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër, ndërsa synon ta shndërrojë atë në pjesë të kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.
Ministrat për çështje evropiane të vendeve të Bashkimit Evropian diskutuan sot për paketën e zgjerimit të bllokut dhe në këtë kuadër pritet miratimi i përfundimeve, për të cilat më vonë gjatë javës do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të vendeve anëtare.
Në pjesën për Kosovën në dokumentin që e ka parë Zëri i Amerikës dhe i cili është versioni i fundit që u është dorëzuar ministrave para takimit të sotëm, vendin qendror e zënë situata e sigurisë në komunat veriore të saj të banuara me shumicë serbe dhe bisedimet me Serbinë.
“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, duke përfshirë sigurinë. Disa veprime të njëanshme të Kosovës dhe Serbisë, si dhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri kanë rritur edhe më tej tensionet. Këshilli dënon ashpër aktet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave më 29 maj 2023”, thuhet mes tjerash në projekt përfundime në të cilat theksohet se zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë pa parakushte. Po ashtu thuhet aty, serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucionet që i kanë braktisur dhe ky kthim duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia.
Marrëveshja për të cilën palët u pajtuan me 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.