Ish- kryedemokrati, Lulzim Basha është shprehur se nëse Sali Berisha do ishte tërhequr nga politika atëherë rezultati në 14 maj do të ishte ndryshe. Sipas tij, zgjedhjet vendore treguan se ai ka marrë vendimin e duhur për ta përjashtuar liderin historik nga Partia Demokratike.
“Që të shohim si të bashkohemi duhet të kuptohemi pse u ndamë, u ndamë për plaçkë, për interesa personale, aspak, ne u ndamë për bindje dhe vlera, bindja ime ka qenë që PD duhet t’i rrijë këtyre vlerave, aleanca me perëndimin është e rëndësishme, pjesë e saj është dhe lufta kundër korrupsionit dhe ne e kemi pranuar që kur SHBA-të mbajnë një qëndrim ndaj një individi në politik dhe ne e mbajmë këtë, ky ka qenë standardi me Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, diçka na ndodhi edhe me liderin tonë historik, unë nuk u nguta, ndryshe nga sa do kishte bërë ai, i kërkova me respekt që të reflektonte, pata besim se do e bënte dhe kur kjo nuk u bë, mora një vendim, për interesin e atyre që më kishin besuar lidershipin. Ka qenë një vendim shumë i vështirë, por siç e provoi dhe 14 maji, vendim i drejtë, imagjinoni nëse ai do ishte tërhequr, sot do kishim një rezultat tjetër nga 14 maji, do kishim një shpresë të madhe, këtë nuk e kemi sepse dikush vendosi interesat e tij personale mbi PD, për problemin e tij personal, na ka çuar këtu ku jemi. Nuk ka ngjitje mekanike, demokratët duhen bashkuar rreth vlerave dhe kur bashkohemi rreth vlerave të jeni të sigurt se kushdo që e kupton PD si një instrument për të rregulluar vendin, do bashkohet”, tha Basha.
Mirëpo, teksa ka nisur takimet, Basha nuk jep një përgjigje të qartë mbi qëllimin e tyre, nëse është fushatë për të marrë kreun e partisë apo jo.
“Nuk është fushatë, ju do e kuptoni se nuk besoj se ka prej jush si i bëj fushata. Kur të hapet gara për kryetar të PD, atëherë do ju kthej një përgjigje. Do i takojë anëtarësisë së PD të gjykojë, nëse investimi që jo kam bërë jo vetëm unë, me një lidership që s’ka lidhje me trekëndëshin e Bermudës, as në moshë, as në formim, as në moshë jo e jo”, u shpreh Basha.