Real Madrid vijon të shpërdorojë mundësi për të bërë duel me Barcelonën në garën për titull. Barazimi pa gola ndaj Real Betis ishte sërish një sirenë alarmi për skuadrën e Carlo Ancelottit, që shënon kështu ndalesën e dytë radhazi dhe shikon kreun të largohet me 9 pikë. Ndaj andaluzianëve, mbretërorët ishin ata që morën iniciativën, por gabuan në momentet e fundit, duke mos arritur që të marrin maksimumin. Goli i Benzema i anuluar u duk se dha shkëndijën e duhur, por Real Madrid shpërdoroi rastet e krijuara dhe u kënaq me vetëm një pikë.
Ndalesë që sigurisht i shkon për shtat Barcelonës, që në krahun tjetër mori 3 pikë tepër të vuajtura ndaj Valencias. Katalanasit luajtën për më shumë se gjysmë ore me një lojtar më pak, pas daljes me të kuq të Araujo. Goli vendimtar mban firmën e Rapinjas, teksa Torres shpërdoroi mundësinë për të dyfishuar, pasi gaboi nga penalltia. Valencia pëson kështu humbjen e 13-të në kampionat, duke u gjendur në zonën e ftohtë të renditjes. Pas 24 javësh kampionat, Barcelona mban vendin e parë me 62 pikë, ndërsa Real i dyti me 53 pikë.