Barcelona konfirmohet e pathyeshme në këtë sezon. Kampionët e Spanjës ishin thjeshtë fenomenal në duelin e javës së 6-të të La Ligës, pasi fituan me përmbysje 3-2 ndaj Celta Vigos. Një duel që po e humbisnin deri në minutën e 81-të, madje me diferencën e dy golave. Barcelona arriti të përmbys gjithçka dhe të krijojë iluzione te Celta Vigo, që edhe në sezonin 1998-1999 pësoi 3 gola përballë Bilbaos në një moment kur udhëhiqte me 2 gola avantazh. Vendimtar padyshim edhe Zhoa Feliks, protagonist në 5 golat e shënuar nga Barcelona në tre sfidat e fundit, me 3 gola dhe 2 asistime.
Kuotë që portugezi e arriti në 23 ndeshje të sezonit të shkuar, për të konfirmuar kështu rilindjen e tij në radhët e katalanasve. Përballë Celta Vigos, ‘Spotify Camp Nou” është një fortesë për Barcelonën, pasi kanë dështuar të shënojë në vetëm një nga 54 duelet, për të koleksionuar 41 fitore 11 barazime dhe 2 humbje. Fitorja e 70-të për Çavi Hernandez në pankinën e Barcelonës, me spanjollin që merr meritat e padiskutueshme për këtë ecuri.
“Ishte një përmbysje brutale. Luajtëm me besim dhe guxim, por disa herë ishim të ç’organizuar. Është një fitore e arritur nga dëshira për ta bërë një gjë të tillë.”
Barcelona ka grumbulluar 16 pikë nga 18 të mundshme, ndërsa Celta Vigo pëson humbjen e katërt sezonale në këtë edicion dhe të dytën radhazi.