Ballkani ruajti nderin e skuadrave shqiptare në arenën Europiane. Kampionët e Kosovës ia dolën për tu kualifikuar në grupet e Conference League. Rrugë që e kishin mësuar që në sezonin e shkuar, pasi Suharekasit ishin pjesë e këtij kompeticioni edhe në edicionin 2022-2023. Edhe këtë vit, ekipi i Ilir Dajës nuk njohu kundërshtarë për të eliminuar me radhë ekipe dukshëm me buxhet më të madh se ta. Bullgarët e Ludogorest ndërprenë ëndrrën në Champions League, ndërsa më pas Ballkani hoqi nga gara në Ligën e Konferencës skuadra si Larne, Lincoln dhe së fundi Bate Borisov.
Ecuri që natyrisht ka mbushur arkat e klubit kosovar. Nga ky rrugëtim, Ballkani ka përfituar rreth 4.8 milionë euro vetëm nga bonuset e UEFA-s, pa përfshirë këtu të drejtat e transmetimit apo dhe shitja e biletave. Tashmë, në grup me skuadra si Dinamo Zagreb, Plzen dhe Astana, uria e Ballkanit është shtuar. Një fitore në fazën e grupeve vlen gjysmë milioni euro, ndërsa barazimi 166 mijë euro. Fakt tjetër që vlen është se Suharekasit po tregojnë potencialin në arenën Europiane, duke vazhduar kështu traditën e nisur sezonin e shkuar dhe barazuar historinë e skuadrës së Skënderbeut, që mori pjesë dy herë në grupet e Europa League.