Sulmuesi i Liverpool, Luis Diaz u fut si zëvendësues dhe shënoi golin e barazimit në takimin e Premier League kundër Luton Town. Kolumbiani ia dedikoi rrjetën babait të tij, i cili është peng i një grupi guerilas në vendlindjen e futbollistit.
26-vjeçari nuk u aktivizua javën e kaluar për “të kuqtë”, pasi u përhapën lajmet se prindërit e tij u rrëmbyen nga njerëz të armatosur.
Ai kërkoi të kthehej në ekip dhe trajneri Jurgen Klopp vendosi ta aktivizonte atë në minutat e fundit.
‘Është emocionuese dhe fantastike! Por problemi i vërtetë nuk do të zgjidhet pë shkak të kësaj. Donim t’i jepnin Luços mundësinë që të hiqte mendjen disi nga gjërat e tjera. Pas takimit e përqafuam’, ka thënë trajneri i Liverpool.
Të kuqtë e shtuan presionin në portën kundërshtare dhe Diaz finalizoi krosin e Harvej Eliot në minutën e pestë të shtesës. Në vazhdim, ai ngriti fanellën dhe zbuloi mbishkrimin “Liri për babanë”. Ushtria Çlirimtare kombëtare ka lajmëruar se do ta lirojë të atin e futbollistit të rrëmbyer, ndërsa më herët kishte lënë të lirë edhe nënën e sulmuesit 26-vjeçar.