Mediat greke kanë publikuar ditën e sotme se autoritetet kanë parandaluar një sulm terrorist i cili mund të shkaktonte të paktën 50 viktima. Autoritetet greke kanë raportuar se sulmi do të kryhej nga 2 palestinezë në qendër të Athinës.
Objektivi i parë i terroristëve do të ishte një restorant të cilin do ta sulmonin me armë ose me eksploziv, në momentin që aty do të kishte pjesëmarrje të madhe njerëzish.
Operacioni i tyre dështoi pasi nuk kanë mundur që të gjejnë në treg armët që ato po kërkonin. Dyshohet se këto vrasje do të kryheshin në këmbim të pagesës. Terroristët kërkonin që të vrisnin sa më shumë njerëz pasi do të merrnin 15 mijë euro shpërblim nga organizatori i rrjetit terrorist.
Dy pakistanezët janë të moshës 27 dhe 29 vjeç, kishin jetuar në Zakynthos dhe Sparta gjatë viteve të fundit.
Ata kishin hyrë ilegalisht në vend 5 vite më parë dhe siç edhe raportojnë mediat greke njëri prej tyre ishte arrestuar një vit më parë pasi nuk kishte dokumentet e nevojshme. Ata janë arrestuar dhe pritet të përballen me ligjin grek.