Një shishe verë, pak lëng frutash dhe disa ëmbëlsira. Dieta e studentit jashtë vendit?
Jo, këto janë ato çfarë lejuan Lillian Ip, 48-vjeçaren australiane, të mbijetonte për 5 ditë e vetme, e mbërthyer me makinën e saj në shkurret e dendura të shtetit Victoria.
Ajo që supozohej të ishte një udhëtim i shkurtër u shndërrua në një makth të denjë për një film horror: mjaftoi një kthesë e gabuar dhe Lillian e gjeti veten të mbërthyer në mes të askundit, 60 km larg qytetit më të afërt, e paaftë për të lëvizur makinën e saj.
Për shkak të problemeve shëndetësore dhe rrezikut të lartë për t’u humbur në bimësinë e dendur, gruaja vendosi të mos largohej nga makina, por të qëndronte aty duke pritur ndihmë.
Dhe atje ajo priti pesë ditë, duke qëndruar gjallë falë një kutie me lëng frutash, disa ëmbëlsira dhe një shishe verë që i kishte blerë nënës së saj.
Familjarët e saj kanë ngritur alarmin pasi nuk kishin pasur kontakte me të për një ditë të tërë.
Më pas policia nisi kërkimet, duke lëvizur verbërisht, duke qenë se në zonën ku ndodhej Lillian, celularët nuk kanë mbulim rrjeti.
“Ishte fat që vendosi të qëndronte në makinë – tha rreshteri i policisë Martin Torpey – në fakt në ato ditë temperatura minimale e regjistruar ishte 36 gradë, ajo nuk do të kishte mbijetuar gjatë pa kondicionerin e makinës”.
“Mendova se do të vdisja atje, trupi im ishte i rraskapitur, ishte gati të dorëzohej”, tha Lillian.
Pak para se të mbërrinte ndihma, kur i kishte humbur shpresat për t’u gjetur, ajo i shkroi një letër familjes së saj: “Ju dua, mos qani për mua”.
Pastaj, papritur, mbërritja e shpëtimtarëve të saj.
Kur arritën, ajo i përshëndeti duke bërë me dorë me dorë dhe duke u kërkuar “ujë dhe një cigare. Falë Zotit policja kishte një cigare”.
Gruaja u dërgua menjëherë në spital, ku u trajtua për gjendjen e rëndë të dehidratimit që ndodhej, por tashmë është mirë dhe tashmë është kthyer në shtëpi.
Megjithatë, familja e saj e ndaloi të bënte më “udhëtime të shkurtra” vetëm.