Atletico Madrid hakmerret ndaj Realit të Madridit. “Los Colcheoneros” eliminoi “Los Blancos’ nga Kupa e Mbretit vetëm pak ditë pasi dështoi për të shkuar në finalen e Superkupës së Spanjës. E udhëhequr nga Alvaro Morata dhe Antoine Griezmann, Atletiko fitoi pas kohës shtesë me shifrat 4-2 për të prishur planet e Real Madrid për një tripletë të mundshme titujsh këtë sezon.
Koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2, me njërin prej golave të Atleticos që mban firmën e Moratës. 31-vjeçari ka shënuar gjashtë gola në 11 ndeshje kundër Real Madrid në të gjitha garat, për ta shndërruar klubin “mbretëror” në prenë e tij të preferuar. Në kohën shtesë, Griezmann i hapi udhë fitores, pasi realizoi golin numër 28 këtë sezon. Sukses edhe për trajnerin, Diego Simeone, i cili për herë të tetë në 13 ndeshjet derbi të Madridit luan përtej kohës shtesë.
“Kjo fitore është shumë më e rëndësishme për tifozët por jo për ne, sepse është vetëm një çerekfinale. Them gjithmonë se në futboll nuk ka merita apo hakmarrje, është një lojë e re dhe mënyrë për të luajtur. Nuk është fat, ata janë një skuadër e mirë, gjithsesi ne garojmë dhe prandaj fituam”, tha trajneri i Atletico Madrid.
Trajneri, Carlo Ancelotti vlerësoi kundërshtarin, teksa pranoi se skuadra do të kërkojë autokritikë në ndeshjen e kampionatit.
“Nuk është e lehtë ta vlerësosh këtë ndeshje. Kemi luajtur shumë mirë dhe kemi rivalizuar deri në fund. Luftuam, por humbëm ndeshjen në kohën shtesë. Do të rikuperohemi dhe të fitojmë të dielën’’, u shpreh Carlo Ancelotti.
Atletico Madrid fitoi të dytin në tre derbet e zhvilluara në harkun e më pak se një muaji, me Realin që pëson kështu humbjen e dytë të sezonit në të gjitha garat.