Alvaro Morata realizoi dopietën duke kontribuuar në fitoren e Atletico Madridit në derbi kundër Real Madidit. Për bardhekuqtë nisja ishte mjaft e mirë, ndërsa kaluan në avantazh pas katër minutash lojë me sulmuesin 30-vjeçar.
Pas 14 minutash, në “Uanda Metropolitano”, vendasit realizuan golin e dytë me anë të Grizhman. Reali kërcënoi me gjuajtët nga distanca dhe në minutën e 35, goditja e Krosit ishte e pamundur që të pritej nga portieri Jan Oblak. Në pjesën e dytë, bardhekuqtë e nisën me gol me Moratën, ndërsa në vazhdim u treguan të kujdesshëm për të mbyllur hapësirat për “Galaktikët”.
Ky derbi solli polemika me “Galaktikët” të pakënaqur nga gjykimi i arbitrit Alberola Rohas. Në përfundim të sfidës, Morata tregoi emocionet për këtë sukses.
‘Shumë i lumtur për atë që ekipi dha në fushë, e gjithashtu që gëzuam tifozët. E meritonim një rezultat të tillë, njësoj sikur të na injektonin vitamina. Nuk kemi kohë të pushojmë pasi na pret një tjetër ndeshje shumë e rëndësishme’, u shpreh sulmuesi i Atletico, Alvaro Morata.
Me tri pikët e marra, skuadra e drejtuar nga Simeone shkon në vend të pestë në renditje, ndërsa “Los Blankos” pozicionohet në vend të tetë në renditjen e La Liga-s.