Edhe pse numri i punonjësve në administratën publike ka shënuar zgjerim në tremujorin e parë të vitit dhe qeveria ka miratuar buxhetin më të madh historik në vitin 2022, kontributi i sektorit publik në ekonomi erdhi më rënie në tremujorin e parë të vitit.
Sektori publik nëpërmjet mjeteve të punësimit, investimeve, etj është një kontribuues i madh në ekonominë e vendit, sektori i katërt më i rëndësishëm.
Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e parë, sektori publik shënoi tkurrje me -1,29 % duke kontribuar negativisht në rritjen ekonomike të vendit.
Rënia erdhi për arsye se, vitin e kaluar për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të prillit administrata publike shënoi një ekspansion të fortë në ekonomi nëpërmjet rritjes së punësimit dhe investimeve publike dhe shpenzimeve të tjera buxhetore.
Në tremujorin e parë 2021, sektori publik u rrit me 7.5 % ndërsa në tremujorin e dytë 2021 për shkak të zgjedhjeve sektori publik u zgjerua me 16.8%. Për shkak të ritmeve të larta jo të zakonta të rritjes së vitit të kaluar, në tremujorin e parë 2022 sektori publik u përball me rënie në tremujorin e parë.
Në tremujorin e parë të vitit 2022 shpenzimet e përgjithshme buxhetore pësuan rënie me 0.5% në raport me të njëjtën periudhe të vitit 2021. Qeveria po tregohet e kujdesshme në shpenzimet buxhetore pasi për të njëjtën periudhe ka akumuluar suficit buxhetor 21 miliardë lekë, një rekord historik.
Shtresat më të varfra në vend (rreth një e katërta ) e popullsisë po përballet me rritje të papërballueshme të kostove të jetës si rrjedhojë e rritjes së larta të mallrave të shportës. Qeveritë kudo në botë janë duke ofruar paketa ndihmë ndaj tyre për zbutur efektet e krizës.
Sakaq punësimi në shtet po zgjerohet me shpejtësi. Të dhënat e INSTAT që referojnë burimet Administrative te Punësimit (punonjësit me sigurime) tregojnë se, në tremujorin e parë 2022 personat e punësuar në sektorin shtetëror që paguan sigurime arritën në 184,205 ose (+0.3%) 627 persona më shumë se në fund të vitit.
Shqipëria hyn në vendet ish-komuniste që trashëgoi një ekonomi ku shteti ishte ofruesi i vetëm i punësimit deri në viti 1990. Pas këtij viti, pesha e sektorit shtetëror në ekonomi dhe punësim do të vinte në rënie nga viti në vit për shkak të adoptimit të modelit të ekonomisë së tregut.
Administrata publike është sektori i tretë më i madh ekonomik. Sektori përfshin mbrojtjen, arsimin, shërbimet sociale dhe administratën tjetër publike, dhe mesatarisht përbën 17% të aktivitetit ekonomik. /monitor