Pak kohë më parë nuk dëshirohej nga askush, por tashmë reputacioni ka pësuar vetëm rritje. Granit Xhaka dhe Arsenali mund të zgjasin edhe për shumë sezone historinë e tyre të dashurisë. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike. Londinezët kanë zhvilluar takime të vazhdueshme me futbollistin me origjinë shqiptare, që është i prirur për të qëndruar gjatë në “Emirates Stadium”. Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës po luan një rol kyç në këtë sezon te Arsenali, në garë për t’u shpallur kampion të Premier League angleze dhe kjo paraqitje pritet të marrë shpërblimin e merituar.
Kontrata aktuale e Xhakës skadon në verën e vitit 2024, megjithëse Arsenali ka një opsion për ta zgjatur edhe një vit tjetër, dhe shpresohet që negociatat të mund të përfundojnë mjaft shpejt pasi ka një vullnet nga të dyja palët për të rënë dakord për kushtet. Arteta ka dhënë gjithashtu vulën e tij të miratimit për një lojtar që është afër 300 paraqitjeve për Arsenalin në të gjitha garat. Granit Xhaka gjendet në Londër që prej verës së vitit 2016, ku u ble nga Gladbah për shifrën e 45 milionë eurove.