Pavarësisht moshës, forma mbetet e jashtëzakonshme. Arjen Robben ruan formën e mirë fizike, pavarësisht se ka hequr dorë nga futbolli profesionist prej dy vitesh. “Holandezi fluturues” mori pjesë në Maratonën e Roterdamit, me ish-lojtarin e Bayern Munich që e përshkroi garën për më pak se 3 orë. 39-vjeçari përfundoi distancën prej 42 kilometrash në kohën 2 orë 58 minuta e 33 sekonda, mesatarisht 4 minuta për çdo kilometer.
Robben arriti të thyej rekordin e një viti më parë me 10 minuta më shpejt, teksa e përfundoi garën 55 minuta pas fituesit të Maratonës, Bashir Abdi. Holandezi pozoi pas garës me triumfatorin, teksa për mediat tregoi emocionet e kësaj sfide.
“Jam vërtetë i lodhur, gjithsesi ia dola. Për një sportist si unë, një distancë e tillë është shumë e gjatë. Por mua më pëlqejnë sportet dhe sfidat. Kjo është e ngjashme me fitimin e një titulli të madh në futboll”, u shpreh ish-futbollisti Arjen Robben.
39-vjeçari holandez u tërhoq nga sporti pas 21 sezoneve, ndërsa veshi fanellën e skuadrave si PSV, Real Madrid dhe Bayern Munich, teksa për të varur këpucët në gozhdë zgjodhi skuadrën e fëmijërisë, Groningemin.