Eliminimi nga Kompeticionet Europiane duket se kanë ndryshuar planet e Lionel Messit. Futbollisti argjentinas nuk e ka vendosur ende të ardhmen e tij, gjithsesi vëmendjen e ka edhe jashtë fushës. Ish-sulmuesi i Barcelonës ka rënë dakord për të qënë ambasador i turizmit në Arabinë Saudite. Lajmin e ka konfirmuar ministri i këtij dikasteri në shtetin e Lindjes sw Mesme, Ahmed Al Khateeb.
Udhëheqësi saudit ka zbuluar se ylli i Albicelestërve nuk do të udhëtojë vetëm, pasi për të shijuar destinacione më të bukura turistike të vendit do ta shoqërojnë familjarë dhe miqtë e tij më të ngushtë. Hapi i parë ky për të joshur Messin ndoshta për të qënë pjesë e futbollit saudit.
Nënshkrimi me “pleshtin” argjentinas shihet si i radhës për Arabinë Saudite, pas kalimit të Cristiano Ronaldos te Al Nassr. ‘Lojtari më i mirë” i vitit të shkuar është në muajt e fundit të kontratës me PSG-në dhe ende është në dyshime për vendimin e së ardhmes. Në gjurmët e tij gjenden ekipe si Inter Majemi, Barcelona dhe Al Hilal, që në merkaton e janarit u përfol se kishte gati 300 milionë euro në sezon për fituesin e 7 Topave të Artë./ Klan News