1 vit pas përjashtimit të Flamur Nokës, Edmond Spahos, Albana Vokshit dhe Luan Bacit, Enkelejd Alibeaj ka përjashtuar zyrtarisht nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike edhe 4 deputetë që mbështesin Sali Berishën.
Kështu Alibeaj përjashtoi Tritan Shehun, Oerd Bylykbashin, Agron Shehajn, dhe Belind Këllicin, kandidatin e Rithemelimit për bashkinë e Tiranës
Sipas vendimit të PD-së, deputetët kishin 1 vit kohë për t’u distancuar publikisht nga aktet e dhunshme kundër partisë, ndërsa vendimi i përjashtimit të tyre, thuhet në një njoftim, i është bërë i ditur edhe Kuvendit.
Reagimet
Ky vendim ka sjellë reagimin e Tritan Shehut i cili paralajmëron se nuk do ta pranojë këtë vendim dhe duke e quajtur Alibejan si një të sëmurë që ka kaluar në delir.
“Të shpëtojme Alibejan! Ai është rënduar shumë, në mënyrë galopante! Ndoshta i ka bërë keq edhe Viti i Ri, gjeli, a diçka tjetër… Deliret e tij mendore, perceptimet e tij te deformuara për realitetin, po e çojnë shumë larg në “sëmundjen” e tij. Ndoshta i duket vetja si Kim Jong-Un a dikush tjetër i ngjashëm. Apo si gjeli mbi kotec, që tremb pulat përreth…. Kjo e fundit me duket me reale, me e vërtete! Por pavarësisht nga “figura” që imagjinon për vehten e tij, ai ka perceptime te deformuara, iluzione, delire. Që e çojnë pastaj në këtë shkalle keqësimi të “shëndetit mendor”, shkruan Shehu.
Nga ana tjetër, Ervin Salianji e quajti një vendim personal të Alibeajt, duke deklaruar se nuk ka pasur mbledhje të grupit parlamentar për këtë çështje.
“Duhet bërë gjithçka për bashkimin dhe dhënien forcë demokratëve! Nuk ka përjashtime, sepse s’ka vendime të grupit parlamentar as mbledhje të tij! Kam keqardhje kur lexoj deklarata personale dhe në dëshpërim të cilat nuk i bëjnë mirē askujt. Sakrificat e demokratëve kërkojnë bashkim jo ndarje! Shqipëria meriton opozitë reale dhe dinjitoze, fati politik i çdokujt varet nga votat jo nga mllefet personale! Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, dhe inatet e vogla nuk bëhen dot vendime Grupi Parlamentar do të reagojë me përgjegjshmëri dhe përpjekja për bashkim, do duhet të shihet me shumë respekt për ata qe e bëjnë realitet në interes të vendit dhe demokratëve”- shkruan Salianji.
Më e ashpër ka qenë deputetja e PD-së, Flutura Açka, që e ka cilësuar si “marrëzi”.
“Marrëzia e vogëlsisë A jeni në metro? Oerd Bylykbashi, Agron Shehaj, Tritan Shehu e Belind Këlliçi i bëjnë nder çdo grupi parlamentar”- shkruan Açka në reagimin e saj.
Çfarë do të thotë kjo?
Një vendim i tillë pritet që të acarojë marrëdhënien brenda Partisë Demokratike dhe të thellojë përçarjen. Në një kohë kur kanë mbetur dhe pak nga zgjedhjet e 14-majit, 2 vendim ka konfirmuar se palët do të shkojnë të ndarë, me kandidatët e tyre, pra një “6 mars” i dytë.