Dëmtimi i Lance Stroll ka trazuar ujërat në shtëpinë e Aston Martin. Skuderisë britanike i duhet të përgatitet maksimalisht për kampionatin Botëror të Formula 1, por fillimisht duhet të bëj prova në makinën e re. Një situatë që ka shtuar kështu dhimbjet e kokës, pasi tashmë duhet një zëvendësues për djalin e pronarit të skuderisë. Fernando Alonso do të ketë mundësinë për të zbritur në pistë për tre ditë me radhë në pistën e Bahrejnit, teksa ai që do shoqërojë spanjollin në këtë periudhë mbetet mister.
Stoffel Vandoorne dhe Felipe Drugovich janë dy pilotët rezervë për Aston Martin, megjithëse belgu ka një garë në Formula E këtë fundjavë dhe duket se është i përjashtuar. Ndërkaq, Drugovich, duket opsioni më i mundshëm për të marrë drejtimin e Aston Martin në testet parasezonale. Për shkak të përvojës së paktë në pilotimin e makinave të Formula 1, braziliani mbetet në dyshim për të qënë në kampionatin më spektakolar të automobilizmit. Koha e mungesës së Stroll nuk është përcaktuar, gjithsesi të gjithë shpresat e Aston Martin do varen te Drugovich, me kampionin e Formula 2 që mund ta zëvendësojë në garat e para sezonale.