Futbollisti Sofian Kiyine u përfshi në një aksident të frikshëm, ndërsa makina e tij fluturoi në ajër e më pas ra në një pallat sporti. Mesfushori 25-vjeçar i lindur në Belgjikë, por që ka luajtur me përfaqësuesen e Marokut u dërgua menjëherë në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm.
Aksidenti ndodhi në Liege të Belgjikës dhe dyshimet janë se lojtari humbi kontrollin e makinës. Aksidenti mund të kishte pasoja fatale pasi në pallatin e sportit kishte fëmijë. Por në moment kur makina goditi murin, fëmijët ndodheshin në dhomat e zhveshjes.
Gjendja shëndetësore e lojtarit nuk është kërcënuese për jetën. Sofian Kiyine luan për skuadrën e Oud-Heverlee Leuven në kampionatin elitar belg. Shpejtësia maksimale në rrugën ku ndodhi aksidenti është deri 90 km për orë.
Policia ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit, ndërkohë që edhe klubi belg njoftoi se është në pritje që të përcaktohen rrethanat e ngjarjes, përpara se të vendosë se si do të procedojë.