Periudha e izolimit për shkak të pandemisë Covid 19 ishte ajo që na bëri ne si shqiptarë të kthejmë sytë në vendin tonë, asokohe si e vetmja mundësi për të kaluar disa ditë pushimi në një vit të vështirë. Por, ajo që nisi më shumë si një zgjidhje sesa zgjedhje na njohu me një anë të pazbuluar të Shqipërisë sonë rurale, me një model të ri turizmi, pikërisht me agroturizmin.
Rritja e konkurrencës në tregun global, ndërgjegjësimi ndaj mjedisit, orientimi drejt sektorëve të shërbimeve dhe fokusi i politikës publike për transformimin e zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e një modeli të ri të zhvillimit rural.
Nga ana tjetër, rritja e kostove të fermerëve qoftë përsa i përket përdorimit të inputeve e teknologjisë bashkëkohore, qoftë kostot e larta me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe gjithë ekosistemit të fermës, ka rritur natyrshëm nevojën për të çuar një hap më tej modelin e vjetër të zhvillimit të bujqësisë. Nëse i referohemi studimeve nga ekspertë të fushës, agroturizmi është një strategji që katapulton më së miri zhvillimin rural.
Diversifikimi i aktiviteteve që lidhen me bujqësinë së pari është një motor i fuqishëm ekonomik që sjell punësim, ndikon në uljen e shpopullimit, pasi njerëzit kanë mundësi të gjejnë në komunitetin e tyre një punë me të ardhura të mira, mbron natyrën e traditën.
Pavarësisht se hovin më të madh në vendin tonë e ka marrë vitet e fundit, agroturizmi nuk është një fenomen i ri në vetvete. Në botë, aktivitetet e para të agroturizmit kanë lulëzuar që në fillim të shekullit të 20-të.
Në terma ekonomikë, ka disa përkufuzime përsa i përket agroturizmit, por më i përqafuari është ai se që një aktivitet të quhet agroturizëm, duhet të ofrojë një grup shërbimesh si akomodimi, ushqimi dhe aktivitete rekreative, të ofruara me qëllim tërheqjen e vizitorëve në fermë.
Ky ka qenë shembulli i ndjekur nga shumë prej fermerëve që sot janë pronarë dhe menaxherë të fermave që ofrojnë agroturizëm. Një pjesë e tyre, të kthyer nga emigrimi kanë aplikuar në vendin e tyre të gjitha njohuritë e marra jashtë, ndërsa pjesës tjetër i ka lindur si nevojë organike, nga kërkesa e turistëve që ta zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Shqipëri janë të regjistruara 28 subjekte si “Subjekt i certifikuar për veprimtarinë e agroturizmit”.
Me një jetëgjatësi afërsisht 7 vjet, agroturizmi në Shqipëri është në përmasat e një biznesi familjar që menaxhohet kryesisht nga të rinjtë rreth moshës 35-vjeçare.
Secili nga këto aktivitete ofron diçka autentike shqiptare, që jo vetëm na njeh ne si vendas me traditën në kulinari, vertari etj, por edhe na promovon e na bën krenarë përballë turistëve të huaj të cilët në këto ferma njohin anën më të mirë të vendit tonë.
Kush ka ndërtuar agroturizëm në Shqipëri, e di fare mirë se ka vendosur “t’i hapë derën e shtëpisë” çdo vizitori. Me gatime tipike tradicionale, që të sjellin në subkoshiencë aromën e gatimeve të gjyshes, me prodhime autentike të zonave, dikush me djathin, dikush me verën, dikush me rosnicat, dikush me mjaltin tipik të asaj zone, të ofron jo vetëm anën më të mirë të produkteve shqiptare, por bashkë me të edhe zemër e dashuri. Kjo është ndjenja që të ofron agroturizmi shqiptar, sikur je në shtëpi, jo vetëm nga natyra, aktivitetet e prodhimet, por mbi të gjitha nga përkujdesi.
Për agroturizmin në Shqipëri kanë shkruar shumë revista prestigjioze ndërkombëtare me nota të larta vlerësimi. Prandaj është mirë qe edhe ne, mes gjithë ngarkesës së përditshme, mes gjithë lajmeve të politikës e kronikës, mes gjithë gjërave që duam t’i ndryshojmë këtij vendi, të kujtohemi e të duartrokasim fort “Shqipërinë tjetër”, atë të punës e jo fjalës, atë që na bën krenarë.