Rusia është në prag të luftës civile. Kreu i forcave ushtarake private Wagner, Jevgeni Prigozhin është rebeluar kundër udhëheqësve të ushtrisë ruse duke pushtuar një prej qyteteve më të rëndësishme të jugut të Rusisë. Prigozhin ka deklaruar se forcat e tij kanë marrë nën kontroll qytetin e Rostov mbi Don.
Gjithçka nisi pasi udhëheqësi i Wagner-it ka bërë thirrje për “ndalim” të krerëve ushtarakë rusë pasi ai akuzoi trupat e rregullta për bombardimin e kampeve të luftëtarëve të tij me urdhër të ministrit të mbrojtjes Sergei Shoigu, çka ka sjellë një numër të madh viktimash. Pas akuzave të Prigozhin autoritetet zyrtare ruse nisën një hetim ndaj tij për nxitje rebelimi por kjo bëri që kreu i Wagner të reagonte edhe më fort.
Ai mori kontrollin e qytetit Rostov mbi Don dhe deklaroi se i ka tërhequr trupat mercenare nga Ukraina dhe tashmë janë të gjitha në Rusi.
“Ne jemi 25.000 ushtarë, nuk është një grusht shteti ushtarak, por një marshim drejtësie’’, tha Prigozhin duke u bërë thirrje rusëve, veçanërisht ushtarëve, që t’u bashkohen atyre dhe jo për të bërë rezistencë.
Përgjigja nga Moska ishte e menjëhershme. Autoritetet e mohuan sulmin dhe kërkuan nga Prigozhini që t’i ndalojë veprimet e paligjshme.
Presidenti rus, Vladimir Putin është njoftuar për situatën dhe po merren të gjitha masat e nevojshme, tha zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov.
Ngjarja paraqet një përshkallëzim befasues të grindjeve brenda Rusisë. Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, tha se siguria në ndërtesat qeveritare, objektet e transportit dhe lokacionet e tjera të rëndësishme në Moskë, janë rritur.